Drejtësia

Lirohet nga qelia Vangjush Dako, ‘arrest shtëpie’ për ish-kryebashkiakun e Durrësit

Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste, do të lërë qelinë e burgut.

Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë, nga “arres në burg” në “arrest shtëpie” për shkak se kanë kaluar afatet e paraburgimit.

Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.

Dy javë më parë, gjyqtarja e hetimit paraprak i kërkoi Prokurorisë që deri në datën 27 Shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pretendon se ata kanë përllogaritur gabim fondin limit duke e shumëfishuar atë dhe pasi kanë rënë në dijeni të këtij fakti, nuk e kanë rregulluar gabimin.

Por për gjykatën, hetimi është i paplotë pa përcaktuar gjendjen aktuale të investimit dhe dëmin aktual.

Sot që ishte caktuar seanca, kjo e fundit u shty për në datë 18 Mars ora 13:00 për shkak të mungesës së akt-ekspertimit topografik që kishte kërkuar gjykata nga prokuroria.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor të vitit të kaluar, teksa akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.

Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.

Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua.

Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë