Teknologji dhe Inovacion

Mat rrahjet e zemrës, monitoron gjumin etj / Samsung nxjerr në treg unazën smart

Një unazë smart që tregon të gjitha normat shëndetësore është krijimi i fundit i Samsung.

Në një intervistë për CNBC, shefi i digjitalizimit të shëndetësisë në Samsung, Hon Pak tha se ky është ‘sulmi’ i parë i firmës në këtë treg. “Unaza Galaxy” ishte paralajmëruar që në janar, por sot  (e hënë 26 shkurt) u lançua për herë të parë në Barcelonë.

Pak tregoi se unaza është e mbushur me sensorë që kapin rrahjet e zemrës, normën e frymëmarrjes, lëvizjet që bëhen gjatë gjumit dhe kohën që i duhet një personi për ta marrë gjumi kur shtrihet në krevat.

Unaza do t’i japë përdoruesve të saj “pikët e jetës” pasi të mbledhë të dhëna për gjendjen fizike dhe mendore dhe të tregojë sa produktivë mund të jenë ata. Ajo do të lidhet drejtpërdrejtë me aplikacionin e shëndetit në celular. Çmimi ende nuk dihet.

Pak tregoi se Samsung po mendon të vendosë në unazë dhe mundësinë e kryerjes së pagesave online. Po ashtu tha se po bëhen kërkime që unaza të mundet të tregojë dhe nivelin e sheqerit në gjak dhe presionin e gjakut.

 Shefi i Samsung tregoi se shumë shpejt kompania do të adaptojë dhe një trajner AI të shëndetit, i cili sipas rezultateve të këshillon çfarë të bësh, një mjek virtual./CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë