Gazeta Si – Alexei Navalny “u vra me një grusht në zemër, një teknikë e përdorur nga ish-agjentët e forcave speciale të KGB-së, pasi u ekspozua ndaj kushteve të ngrirjes për disa orë”.
Kështu shkruan gazeta britanike “The Times”, duke cituar Vladimir Osechkin, themeluesin e grupit të të drejtave të njeriut Gulagu.net.
Ndërkohë, nëna e disidentit, e cila nuk lejohet të shohë trupin e djalit të saj, ka vendosur të padisë Moskën: një gjykatë në veriun e largët të vendit do të shqyrtojë ankesën e saj për “veprime të paligjshme”.
Sipas Osechkin, i cili citoi një burim që punonte në koloninë penale të Arktikut, ku Navalni vdiq të premten, mavijosjet e gjetura në trup janë në përputhje me teknikën e “grushtit të vetëm”.
Para vdekjes së tij, kundërshtari i Putinit ishte detyruar të kalonte më shumë se dy orë e gjysmë jashtë, në një hapësirë izolimi, ku temperatura mund të bjerë në 27 gradë nën zero, tha Osechkin. Si rregull, të burgosurit e kësaj kolonie penale të Arktikut nuk mbahen jashtë për më shumë se një orë.
Menjëherë pas vdekjes, Lyudmila Navalnaya, nëna e Alekseit, arriti në burgun e largët IK-3, por nga e shtuna, kur ajo ndodhet aty, është penguar të shihte trupin.
Agjencia e lajmeve ruse “Tass”, raporton se seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura: gjykata në qytetin arktik të Salekhard do të shqyrtojë çështjen më 4 mars, raportojnë bashkëpunëtorët e nënës së disidentit të ndjerë rus.
Ndërkohë, qeveria britanike e Rishi Sunak, ka njoftuar se ka vendosur sanksione kundër gjashtë zyrtarëve rusë që dyshohet se janë përgjegjës për vdekjen e Navalnit në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.