Gazeta Si – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të martën vonë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe për pasojat globale që i ka shkaktuar ajo.
“Nëse Putini mendon se pas dy vjetëve bota do të harrojë se kush është përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, e ka shumë gabim”, tha Baerbock të martën para se të nisej për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Brazil.
“Ne nuk do të heqim dorë nga parimet themelore të Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesim fuqishëm Ukrainën, sa të jetë e nevojshme dhe derisa populli i saj mund të jetojë në paqe dhe në liri përsëri”, shtoi ajo.
Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ukraina, lufta në Rripin e Gazës dhe kërcënimi i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të luajnë rol të rëndësishëm gjatë takimit të G20-ës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të marrë pjesë në takim në Rio de Zhaniero.
“Me humanizmin dhe përkushtimin tonë ndaj ligjit ndërkombëtar, ne i luftojmë kundër pamëshirëshmërisë së aktorëve, siç është Qeveria ruse”, theksoi ajo.
E tërë bota do të përfitojë “nëse të gjithë ne u përmbahemi rregullave për të cilat jemi pajtuar së bashku”, tha ajo.
G20 u themelua me besimin e “zgjidhjet e përbashkëta janë të mundura nëse ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe i bashkojmë forcat”, nënvizoi Baerbock./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




