Politike

‘Rithemelimi’ asnjë lek, fondin 106 mln për PD e merr Basha. KQZ ndan paratë për partitë që përfitojnë nga buxheti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë fondet që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2024.

PS ka siguruar pjesën më të madhe të fondit, ndërsa PD e “Rithemelimit” të Sali Berishës s’ka marrë asnjë lekë.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celbashi deklaroi se shuma që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit për vitin 2024, është si vijon:

Partia Socialiste 151.494.783 lekë

Partia Demokratike 106.661. 181 lekë

PDIU 9.753.658 lekë

PBDNJ 8.180.647 lekë

Partia Republikane 11.488.669 lekë

PAA 8.180.647 lekë

LZHK 8.180.647 lekë

Partia Lëvizja e Legalitet 8.180.647 lekë

Partia e Lirisë 15.577.215 lekë

Partia Social Demokrate 12.266.269 lekë

Nisma Thurje 6.283.636 lekë

“Secila prej tyre do ta marrë shumën me kushtin që të kenë depozituar në KQZ brenda datës 31 mars raporton financiar për shpenzimet dhe të ardhurat për vitin që shkoi, atë 2023. Përndryshe këto fonde nuk do t’i shpërndahen”, u shpreh Celibashi.

Si ndahet buxheti

Fondet vjetore përcaktohen në bazë të numrit të deputetëve dhe votave që ka marrë secila forcë politike në betejën e fundit parlamentare.

Shuma në total që përfitojnë partitë politike nga buxheti i shtetit kap shifrën e 345 milionë lekëve dhe pjesën e ‘luanit’ e ka marrë Partia Socialiste, e cila arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme për të qeverisur e vetme.

74 mandatet e fituara përkthehen në 151 milionë lekë për selinë rozë.  Që pas parlamentareve të 2021-it, që përcakton sasinë e lekëve që arkëton secila parti në bazë të numrit të deputetëve dhe votave, shuma është e njëjtë.

Ndryshimi për këtë vit është se partitë janë më të uritura për lekë, pasi 2024 është një vit zgjedhor. Si forca me numrin më të madh të kartonëve në Parlament, Partia Socialiste do të ketë në dispozicion mbi 151 milionë lekë për të shpenzuar. Me një diferencë jo të thellë është ajo Demokratike, me mbi 106 milionë lekë.

Ndryshimi me socialistët është se paratë shkojnë të gjitha në arkën e Lulzim Bashës, që sot e mbështet një pakicë deputetësh demokratë. Kjo do të thotë që edhe për këtë vit mbështetësit e dy grupimeve Gazmend Bardhit dhe Sali Berishës do të mbeten duarbosh.

Në arkën e Partisë së Lirisë, KQZ-ja do të derdhë mbi 15 milionë lekë. Pas tre të mëdhenjve vjen Tom Doshi. Nga buxheti i shtetit për politikën përfitues janë edhe parti me zero përfaqësi në Parlament. Këtë ua mundëson ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë