Bota

Izraeli kryen sulme të reja vdekjeprurëse në Rripin e Gazës

Izraeli ka kryer sulme ajrore në mbarë Gazën, duke vrarë të paktën 18 persona gjatë natës të shtunës dhe gjatë të dielës, më 18 shkurt, thanë mjekët dhe dëshmitarët, përderisa Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se do të vendosin veto në një draft-rezolutë të re në Kombet e Bashkuara që bën thirrje për armëpushim.

Aleati kryesor i Izraelit, Uashingtoni, tha se në vend të rezolutës favorizon më shumë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe lirim i pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe ajo synon të arrihet një zgjidhje më të gjerë për konfliktin izraelito-palestinez.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ha hedhur poshtë kërkesat “absurde” të Hamasit dhe ka refuzuar thirrjet e SHBA-së dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë për një rrugë drejt shtetësisë palestineze.

Të dielën, kabineti i tij miratoi një deklaratë duke thënë se Izraeli në “mënyrë kategorike refuzon thirrjet ndërkombëtare për një marrëveshje të përhershme me palestinezët” dhe duke refuzuar njohjen e njëanshme të një shteti palestinez, i cili “do të ishte çmim i madh për terrorin” pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit që nxiti luftën.

Kryeministri izraelit u zotua se do të vazhdojë ofensivën “deri në fitoren e plotë” ndaj Hamasit, dhe se do të zgjerojë luftën në qytezën e Rafahut, ku gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë strehuar nga luftimet në Gazë.

Izraeli gjatë natës kreu sulme në Rafah duke vrarë gjashtë persona, përfshirë një grua dhe tre fëmijë. Në një sulm tjetër në Han Junis u vranë pesë persona të tjerë.

Në Qytetin e Gazës nga një sulm ajror është shkatërruar një shtëpi duke lënë të vrarë shtatë persona, përfshirë tri gra, thanë familjarët e viktimave.

Ushtria izraelite rrallë komenton sulmet individuale dhe për viktimat civile ia lë fajin Hamasit, pasi thotë se grupi radikal operon brenda zonave të banuara dendur.

Borrell: Tensionet në Bregun Perëndimor, pengesë për zgjidhjen me dy shtete

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se situata në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli përbën pengesë të madhe në gjetjen e një zgjidhjeje për paqe afatgjatë mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Bregu Perëndimor është pengesë reale për zgjidhjen me dy shtete”, tha Borrell më 18 shkurt gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih.

“Bregu Perëndimor është në një pikë vlimi… mund të jemi në prag të një shpërthimi më të madh”, tha ai.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi kreu sulm në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Hamasi ende mban afër 130 pengje, një e katërta e të cilëve besohet se kanë vdekur. Pjesa tjetër e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor nëntorin e vitit të kaluar.

Ofensiva izraelite ka vrarë të paktën 28.985 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion, që nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, tha më 18 shkurt se në këtë numër përfshihen edhe 127 trupat e pajetë që u dërguan në spitale në 24 orët e fundit.

Afër 490.000 izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, që Izraeli ka pushtuar më 1967, në dhjetëra vendbanime që konsiderohen joligjore sipas ligjit ndërkombëtar.

Kolonët jetojnë së bashku me afër 3 milionë palestinezë në këtë territor.

Palestinezët i shohin ndërtimin e vendbanimeve izraelite si krim lufte dhe pengesë të madhe për paqe.

Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor në Gazë, në Bregun Perëndimor është regjistruar një numër në rritje i përleshjeve mes forcave izraelite dhe palestinezëve.

Borrell tha se BE-ja duhet të “mbështesë nismën arabe” për krijimin e një shteti palestinez, që do të përfshinte edhe Bregun Perëndimor, edhe Rripin e Gazës.

Deklaratat e Borrellit vijnë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar një plan për njohjen ndërkombëtare të një shteti të tillë, pasi The Washington Post raportoi se ka një nismë të tillë.

Kjo gazetë tha se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe një grup i vogël i shteteve arabe po punojnë në një plan gjithëpërfshirës për paqe afatgjatë mes Izraelit dhe palestinezëve. Sipas The Washington Post, në plan përfshihet edhe një afat kohor për themelimin e një shteti palestinez. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë