Gazeta Si – Prezantim ‘rrufe’ i makinës së re, me të cilën Ferrari do të garojë në Botërorin 2024 me synimin për të rikthyer titullin, që mungon prej 17 vitesh në skuderinë italiane.
Ferrari SF-24 tashmë është zbuluar, por jo edhe aq shumë. Makinat e reja të kuqe të Sharl Leklerk dhe Karlos Sainz janë prezantuar me një video të shkurtër në mesditë, duke u dhënë mundësinë miliona të apasionuarve, mediave dhe rivalëve të njihen me Ferrarin e Botërorit të ri.
Rreth 40 minuta pas lançimit virtual ishte Karlos Sainz ai që i dha ‘bekimin’ makinës së re në pistën e Fioranos. ‘Dëshmitarë’ ishin një turmë tifozësh që prisnin nga jashtë impiantit që në orët e para të mëngjesit.
Duhet pritur gjithsesi ‘filming day’, në program të mërkurën e 14 shkurtit për të mësuar më shumë. Sharl Leklerk dhe Karlos Sainz do të kenë kontaktet e para me makinën e Botërorit, kurse skuadra e inxhinierëve dhe mekanikëve do të verifikojë automatizmat dhe procedurat para dërgimit në Sakhir për testet para kampionatit javën e ardhshme.
Për sa i përket kartës së identitetit të SF-24, mund t’i referohemi skedës teknike të shpërndarë nga skudereia. Nga pikëpamja e ngjyrave, konfirmohen nuancat e verdha (edhe me pak të bardhë) në anësore, në pjesën e lartë përpara dhe te numrat e garës.
Do të jetë sezoni i katërt dhe i fundit për dyshen Leklerk-Sainz. Në fund të vitit spanjolli, të cilit iu besua detyra e xhirove të para, do të lërë Maranelon dhe do të zëvendësohet nga 7 herë kampioni i botës, Ljuis Hemilton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.