Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ishte këtë mbrëmje në mbështetje të banorëve të “Astirit”, të cilët vijojnë protestën në ditën e 27.
Ajo akuzoi dyshen Rama-Veliaj se kanë mashtruar qytetarët, duke denoncuar se kreu i bashkisë Tiranë është takuar ditën e djeshme me punonjës të administratës dhe policinë bashkiake e jo me banorët protestues.
“Ju ftoj të bëni transparencë për mbledhjen e Veliajt në bashki me banorë të pretenduar të Unazës së Re. Personat në foto në takim me Veliajn janë policë bashkiakë. Janë punonjës së bashkisë, janë rrogëtarë të Veliajt. Me intrigën e tij, Veliaj kërkon të mashtrojë banorët, por nuk ka për t’ia arritur. Ftoj të gjitha mediat, edhe kombëtare, që të hetojnë për këtë takim dhe për projektin korruptiv. Si nënë kam një apel për të gjithë shqiptarët në këtë ditë të bashkimit që të solidarizohen me protestën dhe kauzën e drejtë të banorëve të Astirit”, – tha Vokshi.
Deputetja demokrate akuzoi policinë se ka ushtruar dhunë ndaj grave, fëmijëve dhe burrave që marrin pjesë në protestë për t’i frikësuar dhe zmbrapsur.
“Për fat të keq, në këtë ditë që duhet të ishte dita e bashkimit, kemi nëna, fëmijë, të moshuar, të cilëve po ju cenohen dhe po dhunohen çdo ditë, nga dhuna institucioneve dhe dhuna policore. Janë dhunuar gra, janë dhunuar burra, e qytetarët, s’janë kursyer as të mitur. Ja pra Edi Rama çfarë ka sjellë në ditën e Pavarësisë”, shtoi Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




