Bota

Rusia godet Kievin dhe qytete të tjera në Ukrainë, të paktën 4 të vdekur dhe 16 të plagosur

Gazeta Si – Të mërkurën në mëngjes, një sulm rus në shkallë të gjerë goditi disa qytete të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhni tha se në sulm u lëshuan 20 dronë dhe 44 raketa dhe se anti-ajrorët ukrainas rrëzuan përkatësisht 15 dhe 29 prej tyre.

Sulmi preku rajone të ndryshme të Ukrainës, por dëmet më të mëdha u zbuluan në Kiev, ku u godit një ndërtesë banimi 18-katëshe në lagjen “Holosiivskyi”.

Sulmi shkaktoi 3 të vdekur dhe 16 të plagosur, ndërsa një tjetër person u vra në rajonin jugor të Mykolaiv.

Në gjithë Ukrainën u lëshuan sirena rreth orës 6 të mëngjesit, kur Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruar në Telegram për mundësinë e sulmeve raketore ruse nëpër vend.

Shpërthimet e para u dëgjuan pak para orës 7 të mëngjesit në Kiev.

“U frikësova kur u lëshuan sirenat, dhe ne erdhëm këtu me vrap”, tha për Reuters Tetyana, një 49-vjeçare që po strehohej në qendër të Kievit.

“Shpresoj se ata do t’i rrëzojnë të gjitha [raketat]. Lutem për mbrojtjen tonë”, shtoi ajo, derisa i përqafonte mbesën e vet dyvjeçare dhe një qen të vogël.

Disa pjesë të kryeqytetit ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e sulmeve, thanë zyrtarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë