Gazeta Si – Revolucioni mes Maranelos dhe Brakleit plotësohet edhe në nivelin e inxhinierëve, të cilët mund të ndjekin 7 herë kampionin e botës te skuderia italiane.
Revolucioni në shtëpinë e Ferrarit, rrjedhimisht edhe atë të Mercedesit, nuk ka përfunduar. Pas kalimit të Ljuis Hemilton, që nga 2025-a do të garojë për skuadrën italiane, në Maranelo mund të mbërrijnë edhe teknikët dhe inxhinierët si përforcime. Me ndihmën e tyre mund të krijohet një makinë, që do të lejojë pilotin anglez dhe Leklerk të luftojnë për titullin kampion në Formula 1.
Hapi i parë, sipas ‘Gazzetta dello Sport’, do të hidhet në maj, kur Loik Serra do të zbarkojë te Ferrari. Inxhinieri francez, përgjegjës i performancës së Mercedesit, pas pak muajsh përfundon kontratën dhe mund të nisë punën në Maranelo.
Jo vetëm ai. Hemilton në Itali mund të gjejë edhe Rikardo Muskonin, që te Mercedesi është përgjegjës i aktiviteteve në pistë. Nëse vërtet do të vijë edhe ai në Maranelo, do të ishte një shtysë e fortë për të parë të tjera figura të skuderisë gjermane të kalojnë tek ajo italiane, çka do ta bënte më të lehtë ambientimin e 7 herë kampionit të botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.