Nga Gazeta ‘Si’ – SHBA-ja ka nisur sulmet në Siri dhe Irak në përgjigje të sulmit me dron të së dielës (28 janar) në një bazë ushtarake amerikane që vrau tre ushtarë.
“Nëse dëmton një amerikan, ne përgjigjemi”, u shpreh presidenti amerikan Joe Biden, pasi forcat amerikane sulmuan më shumë se 80 objektiva në Irak dhe Siri në një sulm ajror me rreze të gjerë në vendet që u përkasin milicive të lidhura me Iranin dhe Gardën Revolucionare të Teheranit.
Presidenti amerikan tha se sulmet ishin nisur si hakmarrje për sulmin me dron që vrau tre ushtarë amerikane në Jordani , duke shtuar: “Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në kohë dhe vende që ne zgjedhim.”
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se kishte goditur me më shumë se 125 bomba në një sulm që ndodhi rreth mesnatës me orën lokale, në atë që u përshkrua si i pari nga sulmet e shumta kundër grupeve.
Këto nuk do të jenë sulmet e fundit, tha të premten nëpërmjet telefonit gjeneral lietnant Douglas Sims, drejtor i operacioneve për Shtabin e Përgjithshëm.
“Në këto momente, të gjithë avionët janë kthyer të padëmtuar. Nuk do të jap detaje të tjera për kohën se kur do të bëhen sulmet e tjera”, tha ai.
Ndër objektivat ishin qendrat e komandës dhe kontrollit, qendrat e zbulimit, depot e raketave dhe dronëve, objekte të logjistikës dhe furnizimit me municione për grupet paraushtarake dhe sponsorët e tyre nga Garda Revolucionare e Iranit.
Bazat amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar më shumë se 165 herë që nga 7 tetori, fillimi i luftës Izrael-Hamas, nga milicitë në të dy vendet që janë të lidhura me Iranin. Megjithatë, të martën, Kataib Hezbollah, grupi iranian i dyshuar nga SHBA për kryerjen e sulmit në Kullën 22, tha se kishte pezulluar aktivitetin ushtarak kundër “forcave pushtuese”.
Megjithëse SHBA-ja është e lirë nga luftërat e saj në Irak dhe Afganistan, tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, të shkaktuara nga luftimet Izrael-Hamas, kërcënojnë të tërheqin forcat amerikane përsëri në konfliktin rajonal.
Iraku paralajmëron për “pasoja katastrofike” në të gjithë rajonin
Iraku i ka quajtur sulmet ajrore amerikane në Irak dhe Siri kundër objektivave të lidhura me Iranin një “shkelje të sovranitetit të Irakut” që mund të ketë “pasoja katastrofike” për rajonin.
Jahya Rasool, një zëdhënës i kryeministrit të Irakut, tha: “Këto sulme ajrore përbëjnë një shkelje të sovranitetit të Irakut, minojnë përpjekjet e qeverisë irakiane dhe përbëjnë një kërcënim që mund ta çojë Irakun dhe rajonin në pasoja katastrofike.
Militantët e Rezistencës Islamike në Irak thanë se të shtunën kishin sulmuar bazën ajrore al-Harir që pret forcat amerikane në Irakun verior.

Sulmet ajrore amerikane në Irak vranë 16, përfshirë civilë, thotë zyra e kryeministrit irakian.
Zyra e kryeministrit irakian, Mohammed Shia al-Sudani tha se 16 persona ishin vrarë, mes tyre disa civilë dhe 25 u plagosën në sulmet ajrore të SHBA-së gjatë natës ndaj objektivave pro-Iranit në Irak.
Në një deklaratë, qeveria i dënoi sulmet si një “agresion të ri kundër sovranitetit të Irakut” dhe mohoi se ato ishin koordinuar nga qeveria e Bagdadit paraprakisht me Uashingtonin, duke i quajtur pohime të tilla “gënjeshtra”.
“Prania e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga SHBA në rajon “është bërë një arsye për kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit në Irak dhe një justifikim për përfshirjen e Irakut në konfliktet rajonale dhe ndërkombëtare”, shtohet në deklaratën e kryeministrit irakian.

Siria: Sulmet nxisin konfliktin në mënyrë shumë të rrezikshme
Ministria e Jashtme e Sirisë dënoi të shtunën “sulmet hakmarrëse ajrore të SHBA-së” kundër më shumë se 85 objektivave në Siri dhe Irak të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit dhe milicitë që ajo mbështet.
“Ajo që ka kryer [SHBA] ka shërbyer për të nxitur konfliktin në Lindjen e Mesme në një mënyrë shumë të rrezikshme”, tha ministria e jashtme e Damaskut në një deklaratë.
Ndërkohë ushtria siriane tha të shtunën se pushtimi amerikan i territorit sirian “nuk mund të vazhdojë”, pas këtyre sulmeve të Uashingtonit. “Ushtria është e vendosur të çlirojë të gjithë territorin sirian nga terrorizmi dhe okupimi”, tha ushtria siriane.
SHBA ka rreth 900 trupa në Siri dhe 2,500 në Irakun fqinj, si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar kundër grupit të Shtetit Islamik, një organizatë xhihadiste që dikur kontrollonte një pjesë të të dy vendeve.
Përplasje diplomatike
Ministria e Jashtme e Irakut njoftoi të shtunën se do të thërriste të ngarkuarin me punë të ambasadës së SHBA-së – pasi ambasadori ndodhet jashtë vendit – për të mbajtur një protestë zyrtare për sulmet e SHBA-së mbi “caqet ushtarake dhe civile në Irak”.
Irani, ndërkohë, është përpjekur të distancohet nga sulmi, duke thënë se milicitë veprojnë pavarësisht nga drejtimi i tij.
Një zyrtar i milicisë irakiane të shtunën la të kuptohet një dëshirë për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme pas sulmeve hakmarrëse të ndërmarra nga SHBA kundër dhjetëra caqeve në Irak dhe Siri të përdorura nga milicitë e mbështetur nga Irani dhe Garda Revolucionare Iraniane.
Husein al-Mosawi, zëdhënës i Harakat al-Nujaba, një nga milicitë kryesore të mbështetur nga Irani në Irak, në një intervistë në Bagdad dënoi sulmet e SHBA, duke thënë se Uashingtoni “duhet të kuptojë se çdo veprim shkakton një reagim”. Por më pas ai dha një ton më pajtues, duke thënë se “ne nuk dëshirojmë të përshkallëzojmë apo zgjerojmë tensionet rajonale”.
Mossawi tha se vendet e shënjestruara në Irak ishin kryesisht “të lira nga luftëtarët dhe personeli ushtarak në kohën e sulmit”. Ideja se nuk kishte shumë dëme mund ta lejonte atë të justifikonte mungesën e një reagimi të fortë.
Megjithëse media shtetërore siriane raportoi se kishte viktima nga sulmet, nuk u dhanë shifra. Rami Abdurrahman, i cili drejton Observatorin Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, tha se 23 persona u vranë në sulmet në Siri, të gjithë luftëtarë.
Zëdhënësi i qeverisë irakiane Bassim al-Awadi tha në një deklaratë të shtunën se sulmet në Irak pranë kufirit sirian vranë 16, përfshirë civilë, dhe kishte “dëme të konsiderueshme” në shtëpi dhe prona private.
Zëdhënësi irakian al-Awadi dënoi sulmet si shkelje të sovranitetit të Irakut, veçanërisht pasi disa prej tyre kishin në shënjestër objektet e Forcave të Mobilizimit të Popullsisë (PMF). PMF, një koalicion i milicive të mbështetur nga Irani, u vu zyrtarisht nën ombrellën e forcave të armatosura irakiane pasi iu bashkua luftës kundër Shtetit Islamik në 2014, por në realitet ajo vazhdon të veprojë kryesisht jashtë kontrollit të shtetit.
Forcat e Mobilizimit Popullor thanë në një deklaratë të shtunën se një nga caqet e shënjestruara ishte një seli zyrtare sigurie e grupit. Përveç 16 të vrarëve, ajo tha se 36 ishin plagosur, “ndërsa kërkimet janë ende në vazhdim për kufomat e një numri të të zhdukurve”.
Hakmarrja amerikane
Më pak se tre orë përpara sulmeve ajrore, presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden morën pjesë në ceremoninë solemne për pritjen në atdhe të trupave të tre ushtarakëve të vrarë amerikanë.
Ata u vranë të dielën nga një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani. Shtetet e Bashkuara fajësuan për sulmin “Rezistencën Islamike në Irak”, një organizatë mëmë për grupet e mbështetura nga Irani.



Koha e përzgjedhur për sulmet ajrore amerikane u përcaktua kryesisht nga moti, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
“Nuk pati absolutisht asnjë lidhje me kohën e ceremonisë solemne sot në bazën ajrore Dover”, tha zoti Kirby.
Në ceremoninë solemne në bazën ajrore Dover në Dellauer, morën pjesë familjarët e të rënëve, drejtuesit ushtarakë, ndër ta edhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, si dhe ligjvënësit e shtetit Xhorxhia nga ku ishin të tre ushtarakët e ndjerë: rreshteri William Jerome Rivers, rreshterja Kennedy Ladon Sander dhe rreshterja Breonna Alexsondria Moffett.
Presidenti Biden foli më herët gjatë javës me familjarët e tyre.
“Do të doja të mos më duhej ta bëja këtë telefonatë. E di se nuk ekziston diçka që mund të thuhet apo mund të bëhet për ta lehtësuar dhimbjen. E kam përjetuar vetë”, u tha presidenti Biden nëpërmjet telefonit prindërve Oneida Oliver Sanders dhe Shawn Sanders.
Me mijëra ushtarakë amerikanë të vrarë jashtë vendit ndër vite, jo në të gjitha ceremonitë solemne kanë marrë pjesë presidentët. Kjo është ceremonia e dytë e tillë për presidentin Biden.
Në gusht të vitit 2021, ai mori pjesë në ceremoninë për 13 ushtarakët e vrarë në Kabul gjatë tërheqjes nga Afganistani të forcave amerikane.
Dhe tashmë presidenti përballet me luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë që rrezikon të zgjerohet në një konflikt më të gjerë rajonal.
“Mendoj se shumë vende në rajon po presin se ç’do të ndodhë. Nuk mendoj se ndokush dëshiron ta shndërrojë në një konflikt të përgjithshëm ku secili duhet të marrë një anë”, tha James Robbins, nga Instituti i Politikave Botërore.
Ndërkohë presidenti Biden dhe zyrtarët amerikanë thonë në mënyrë të përsëritur se: Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë me Iranin. /Reuters/AP/CNN/TheGuardian/VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




