Arsim

PISA 2025 do të fokusohet në shkencë dhe ‘botën digjitale’, vlerësim i ri për gjuhët e huaja

Nxënës të viteve të para dhe të dyta

Nga Gazeta Si- PISA 2025 do të fokusohet në shkencë dhe gjithashtu do të përfshijë një vlerësim të ri të gjuhëve të huaja. Testi do të përfshijë gjithashtu fushat inovative të të mësuarit në botën digjitale, që synon të masë aftësinë e nxënësve për t'u përfshirë në të mësuarin gjatë përdorimit të mjeteve digjitale.

Testi Global i arritjeve mësimore “PISA 2025”, do të zhvillohet vitin tjetër, i cili do të ndryshojë fokusin e testimit nga matematika dhe leximi tek njohuritë shkencore, të mësuarit në botën digjitale dhe do të ketë një vlerësim të ri për gjuhët e huaja.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) prej vitesh zhvillon një test global për të vlerësuar njohuritë mesatare të nxënësve në moshën 15 vjeç në rreth 80 vende të botës.

Shqipëria që është pjesë e këtij testi që nga viti 2000 iu nënshtrua vlerësimit të fundit në vitin 2022. Rezultatet ishin të dobëta duke bërë dy dekada pas. Në matematikë nxënësit shqiptare morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012.

Vlerësimi PISA 2025 do të masë se sa mirë vendet po i përgatisin nxënësit e tyre me shkencën dhe se si shkenca prodhon njohuri të besueshme. Kjo është thelbësore për qytetarët që duhet të marrin vendime personale për fenomene të lidhura me shkencën, si shëndeti dhe mjedisi, për t’u përfshirë në veprime brenda familjeve të tyre, komuniteteve lokale dhe më gjerë.

“Është veçanërisht e rëndësishme në shekullin e 21-të kur njerëzimi përballet me një të ardhme të pasigurt, një epokë në të cilën ndikimi njerëzor po ndryshon ndjeshëm sistemet e Tokës”, shprehet OECD në lidhje me PISA 2025.

Vlerësimi PISA 2025 “Learning in the Digital World” paraqet disa risi kryesore për PISA.

Çdo njësi testimi është projektuar si një mjedis mësimor digjital modern. Në këtë mjedis nxënësit duhet të bëjnë zgjedhje se sa kohë u kushtojnë detyrave të ndryshme, të zhvillojnë strategji se si të trajtojnë problemet komplekse dhe të monitorojnë dhe vlerësojnë përparimin e tyre. Performanca e nxënësve vlerësohet jo vetëm nga aftësia e tyre për t'iu përgjigjur saktë pyetjeve, por edhe nga shkalla në të cilën ata mund të përballojnë probleme dhe detyra të ndryshme.

Për herë të parë, PISA do të ofrojë krahasime ndërkombëtare të proceseve mësimore të vetërregulluara të nxënësve, duke përfshirë masat e motivimit dhe rregullimit të emocioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë