Drejtësia

GJKKO kthen pas çështjen e Vangjush Dakos, i kërkon SPAK-ut të plotësojë hetimet

Gazeta Si – Gjykata Antikorrupsion ka kthyer pas për plotësim hetimesh çështjen ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i akuzuar për “shpërdorim detyre” për projektin e shëtitores së qendrës së qytetit bregdetar. Mësohet se seanca do të mbahet më 27 shkurt në orën 12:00.

GJKKO kërkon disa ekspertiza të tjera për projektin “Promenadë Bregdetare” si dhe të pyeten disa dëshmitarë.

Vangjush Dako akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, së bashku me 10 persona të tjerë.

Këto akuza lidhen së pari me një pallat 11 katësh, që sipas SPAK, u ndërtua në vitin 2011 jashtë çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri.

Së dyti, projekti “Promenadë Bregdetare” sipas Prokurorisë së Posaçme, se hartua me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekë, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish-kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi. Bashkia Durrës pavarësisht dëmit të konstatuar edhe nga KLSH kreu likuidimin financiar ndaj subjektit privat.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor të vitit të kaluar, teksa akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste.

Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.

Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua.

Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë