Gazeta Si – Seanca e sotme gjyqësore ndaj Fredi Belerit, është shtyrë për në 13 shkurt, datë kur SPAK pritet të shpallë pretencën për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës i dyshuar për korrupsion në zgjedhje.
Seanca e radhës në GJKKO për Belerin do të jetë në orën 14:00, ku pritet që SPAK të japë konkluzionet për hetimin ndaj tij.
Në seancën e sotme, dëshmoi specialistja në Drejtorinë e Burgjeve, Anila Paci, lidhur me dëshminë e penalitetit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Në dëshminë e saj, Paci hodhi poshtë pretendimin e Belerit se është falsifikuar dëshmia e penalitetit të tij.
Sipas saj, “kur vijnë kërkesa individuale dhe personi e bën kërkesën vetë, për shkak të rehabilitimit e japim: i padënuar. Kur e kërkojnë institucionet edhe pse kanë akses, ne u japim të gjitha të dhënat e regjistrit të gjendjes gjyqësore, pra që është i dënuar”.
Avokati i Belerit, Eugen Gjyzari tha për mediat se i gjithë procesi është i parregullt dhe po tejzgjatet në mënyrë që çështja të mos shkojë në Strasburg.
Ai komentoi po ashtu edhe mbi dëshminë e specialistes në Drejtorinë e Burgjeve, Anila Paci. Sipas avokatit ajo nuk ka qëndrueshmëri në deklaratat e saj para trupës gjykuese.
“E tha dhe specialistja, se ai është i padënuar, është rehabilituar. Ka pasur një dënim kur ka qenë i ri, një njeri nuk mund të rri për 20 vite. Sot procesi pati edhe një dimension tjetër të paligjshme. I kërkon informacion në lidhje me pagesën e Arsen Ramës. Jo, padyshim e mbajnë sekret. Shpagimi i dëshmitarit është vepër penale. E bëjnë procesin të paligjshëm. Nuk kanë guximin të marrin asnjë prove në fund. Duket qartë se duan të dënojnë. Kur je i dënuar të jep historikun. Se pranoi gjykata nuk pranon asgjë tonën. Te gjykata Kushtetuese gjithë vëmendja është te GJK.’- tha avokati, Geni Gjyzari.
Tre ditë më parë, Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Belerit për t’u betuar si kreu i bashkisë Himarë. Beleri akuzohet se ka blerë vota në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ndërkohë, mesditën e sotme, disa mbështetës së Belerit protestuan para Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon drejtësi për procesin ndaj tij.
Protesta vjen pas vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm që rrëzoi kërkesën e Belerit për t’u betuar. Pas këtij vendimi, në një deklaratë për media, Beleri tha se në Gjykatën Kushtetuese ka depozituar disa kërkesa dhe pret që t’i marrë në shqyrtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




