Bota

Negociatat me dyer të mbyllura me Viktor Orban, BE miraton fondin 50 mld euro për Ukrainën

Udhëheqësit e BE-së e bindën Hungarinë e Viktor Orban të mbështeste një paketë financimi prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën. Politico njofton se marrëveshja e BE-së për një paketë shtesë prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën erdhi pasi një grup i vogël liderësh bindi kryeministrin hungarez Viktor Orbán të heqë veton e tij mbi financimin e Ukrainës.

Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me kryeministrin hungarez.

Takimi u zgjerua më pas me liderë të tjerë, duke përfshirë kryeministrin holandez Mark Rutte, kryeministrin polak Donald Tusk dhe kryeministrin belg Alexander De Croo.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel njoftoi se ekziston një marrëveshje për ofrimin e mbështetjes financiare për Ukrainën deri në vitin 2027.

“Të 27 liderët ranë dakord për një paketë shtesë prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën brenda buxhetit të BE-së”, shkroi Michel në X, disa minuta pas fillimit zyrtar të takimit të Këshillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë