Gazeta Si – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, do të njoftojë në ditët në vijim largimin nga detyra të komandantit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjeneralit Valery Zaluzhny, 50 vjeç.
Lajmi u konfirmua nga burime të cituara nga transmetuesi televiziv amerikan CNN, pas javësh spekulimesh në lidhje me fërkimet gjithnjë e më të forta mes presidentit ukrainas dhe kreut të forcave të armatosura.
Një lëvizje e dobishme për liderin ukrainas për të hequr një oficer shumë të popullarizuar në mesin e popullatës dhe ushtrisë (i cili sipas të gjitha gjasave do të kishte qenë kandidati i preferuar në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, nëse Zelenski nuk do t’i kishte anuluar ato duke përmendur gjendjen e luftës si arsye), por në të njëjtën kohë duke e mbajtur në staf për të mos krijuar përshtypjen e një qëndrimi armiqësor ndaj tij.
Lajmet për takimin dhe shkarkimin e gjeneralit, shpërthyen në Kiev të hënën në mbrëmje, pas një konflikti që kishte ndodhur midis presidentit dhe komandantit të tij të përgjithshëm, pas dështimit të kundërofensivës ukrainase vitin e kaluar.
Tensionet thuhet se janë rritur veçanërisht kur Zaluzhny e përshkroi luftën me Rusinë si një ngërç, në një intervistë me revistën “Economist” në nëntor.
Sipas CNN, ky është një element që do të rrezikonte popullaritetin e mbetur të presidentit.
Një sondazh dhjetorin e kaluar, zbuloi se 88% e ukrainasve i besojnë Zaluzhnit krahasuar me 62% të fituar nga Zelenski.
Sipas CNN, dekreti presidencial që zyrtarizon largimin e Zaluzhnit nga detyra do të dalë fundjavën e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




