Gazeta Si – Gjykata e Posaçme nuk ka dalë me një vendim këtë të enjte, në lidhje me ankimin e ish- kryeministrit Sali Berisha, i cili ka kërkuar leje për të marrë pjesë në seancat në Kuvend në cilësinë e deputetit.
Mësohet se seanca e radhës është shtyrë dhe do të zhvillohet më 8 shkurt, ora 14:30. Ish-kryeministri u përfaqësua në gjykatë nga avokatët e tij, ndërsa njëri prej tyre, Genc Gjokutaj, hodhi akuza ndaj GJKKO-së: “Qëllimi i kësaj gjykate, është djegia e mandatit të deputetit të Berishës”, tha avokati i liderit demokrat për mediat pas vendimit të togave të zeza për shtyrjen e seancës.
Ish-kryeministri në “arrest shtëpie”, kërkon që të mos humbë mandatin e deputetit për shkak të mungesës për 6 muaj në parlament
Në 18 janar, prokurorët e SPAK-ut, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai rrëzuan kërkesën e Sali Berishës për të marrë pjesë në seancat parlamentare.
Në vendimin e zbardhur, thuhej se Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon një leje të tillë. Prokurorët theksuan se nevojat që ka vlerësuar gjykata mbi bazë të cilave është caktuar masa “arrest në shtëpi”, duhet të mbizotërojnë në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për të marrë pjesë në parlament.
Sipas dy prokurorëve që morën këtë vendim, avokati i Berishës nuk ka përmendur asnjë dispozitë mbi të cilën është mbështetur kërkesa për të lejuar të marrë pjesë në seancat parlamentare.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha ndodhet në “arrest shtëpie”, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK.
Nga ajo ditë, Berisha ka mbajtur fjalime nga dritarja e banesës, duke mbledhur dhjetëra mbështetës, por duke shkelur vendimin e gjykatës, sipas të cilës nuk i lejohet komunikimi me persona të tjerë përveç rrethit të ngushtë familjar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




