Nga Gazeta Si – ‘Ai ishte student i shkëlqyer, vazhdonte ekonomikun, por në vitin e dytë nisi të sillej çuditshëm, u bë nervoz dhe filloi të konfliktohej me të gjithë. Pas shumë peripecive e vizituam tek psikiatri. Sot mjekohet por jeton i izoluar, nuk pranon të dalë jashtë’.
Kjo është historia e një të riu 30-vjeçar që jeton me prindërit dhe vëllain më të vogël me qira në një nga zonat e periferisë së Tiranës.
E ëma me sy të përlotur tregon sa të vështirë e ka pasur ta pranojë se i biri vuan nga një sëmundje e shëndetit mendor.
LEXO EDHE:
– Dëshmia e gruas së Jetnor Zhabolit që izoloi dhe dhunoi familjen: Nuk e kam paditur, sepse e dua
– Identikiti psiko-social i njerëzve si Jetnor Zhaboli
“Burri nuk donte por unë këmbëngula ta çoja te mjekja psikiatre. Është mirë kur pi ilaçet, nëse i ndërpret kthehet menjëherë në gjendjen e mëparshme’, tregon gruaja që ul sytë e turpëruar, sikur ndjehet në faj për problemin që i ka rënë në familje.
Stigma, paragjykimi e kanë bërë që mezi të flasë për të birin dikur student të shkëlqyer, që sot është i mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Duket sikur është e vetmja që mban një hall të tillë mbi supe, por mjekët ekspertë të fushës të tregojnë për shtim të numrit të të prekurve nga problemet e shëndetit mendor.

“Rasti i 35-vjeçarit që ‘burgosi’ familjen për shkak të paranojave e frikrave që kishte se mos atyre u bënin keq, nuk është i vetmi. Vitet e fundit po shtohen problemet e shëndetit mendor dhe psikozat apo paranojat janë më të shpeshtat. Mosha e re aktive është më e prekura 25-50-vjeç por nuk përjashtohen raste dhe mbi 65-vjeç’, shprehet për Gazetasi.al mjekja psikiatre Valentina Asabella, në qendrën komunitare të shëndetit mendor pranë poliklinikës së specialiteteve nr.3 në Tiranë.
E pyetur konkretisht për rastin e bujshëm të fundjavës, ku një djalë i ri, me profesion ekonomist kishte instaluar kamera në shtëpinë e tij ku survejonte gruan, nënën dhe dy fëmijët e mitur, mjekja psikiatre thotë se kemi të bëjmë me psikozën, sëmundja e çregullimit të mendimit.
“Pacientë të prekur me psikozë jetojnë në realitet paralel, ata thonë se ndjejnë zëra, se i përndjekin, disa lexojnë madje dhe mesazhe sipas mendjes së tyre, u shfaqen mesazhe në mure, flasin me njerëz të padukshëm”, shpjegon psikiatrja Asabella.
Por a mjekohet kjo sëmundje dhe të tjera që lidhen me problemet e shëndetit mendor?
Mjekja Asabella thotë se sa më shpejt të kapen aq më e shpejtë është dhe dalja nga gjendja.
“Unë kam me mijëra kartela të hapura, problem më shumë për mjekimin shfaqin intelektualët, ata që lexojnë në internet dhe më shumë interesohen për efektet anësore të mjekimit sesa të dalin sa më shpejt nga gjendja’, thotë mjekja psikiatre Asabella.
Si shfaqen simptomat e psikozës?
Mjekja psikiatre thotë se shkaqet e prekjes nga sëmundjet e shëndetit mendor nuk dihen akoma, pasi ato nuk lidhen me probleme të trurit, por emocioneve çka çon në çrregullimin e sjelljes, personalitetit.
Sipas saj, faktor kyç në prekjen nga këto sëmundje luan periudha e fëmijërisë e megjithatë, në vend të analizës së shkaqeve, të prekurit duhet të fokusohen tek mjekimi.
“Të prekurit nga problemet e shëndetit mendor duhet të binden e ti besojnë mjekimit, që është i vetmi që i rikthen në gjendjen e mëparshme, normale. Rol të rëndësishëm zë familja e cila në këto raste duhet ti qëndrojë pranë, pa e stigmatizuar apo braktisur. Hapi i parë në rastet kur familjari i tyre shfaq sjellje apo thotë fjalë që nuk kanë lidhje me realitetin ku jetojmë, duhet vizita tek mjeku i familjes, e ai më pas e referon tek mjeku psikiatër”, thekson mjekja Asabella.
Referimi, 3 qendra komunitare të shëndetit mendor në Tiranë
Tirana numëron 3 qendra komunitare të shëndetit mendor e megjithatë jo të gjithë e dinë se ku duhet të drejtohen në rastet kur kanë probleme të tilla në familje apo më gjerë.
Për shkak të mungesës së informacionit, spitali psikiatrik mbetet porta e parë ku drejtohen, e megjithatë aty shkojnë rastet e rënda me kriza ku në pjesën më të madhe, pacientët shoqërohen me ndihmën e policisë.
Por ka dhe raste kur pacienti në mungesë informacioni, shkon të mjekohet në spital, që për emrin që mban, ka jo pak paragjykim.
‘Spitali është hallka e fundit kur pacienti refuzon mjekimin dhe gjendja e tij rëndohet. Mjeku i familjes është kontakti i parë që familjarët duhet të kenë për të kërkuar ndihmë të menjëhershme. Është mjeku që pasi mëson nga familjarët për gjendjen e të sëmurit, e referon atë pranë 3 qendrave shëndetësore komunitare të shëndetit mendor’, thotë mjekja psikiatre Valentina Asabella.
Por, nëse kjo nuk ndodh, përgjegjësi direkte kanë dhe familjarët që lejojnë agravimin e gjendjes së të sëmurit.
Sipas mjekes psikiatre, shumë pacientë të saj që janë kuruar ndër vite, jetojnë e punojnë si gjithë të tjerët, pa qenë nevoja të kalojnë në kriza.
“Nëse mjekohen rregullisht, jetojnë normal pa pasur asnjë problem. Por në Shqipëri paragjykimi është i madh dhe rol ka edhe media. Shumë prej personave të sëmurë me problem të shëndetit mendor janë persona që kryejnë vetëvrasje. Toleranca dhe empatia duhet të kultivohen por dhe mosneglizhenca pasi këta persona kanë nevojë për të gjithë ne”, përfundon mjekja Asabella.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




