Gazeta Si – Dy personat e arrestuar brenda dy ditësh njëri pas tjetrit me mina me telekomandë në Lezhë dhe Rrëshen do të qëndrojnë në burg pa afat.
Marjan Gjoka 28-vjeç banues në Qafë Unazë të Rubikut dhe Ilir Gjoka 45-vjeç banues në Lezhë, u njohën me masat e sigurisë këtë të diel në Gjykatën e Lezhës.
Në seancat gjyqësore të zhvilluara njëra pas tjetrës, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e dy personave dhe vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” për shtetasit Marjan Gjoka dhe Ilir Gjoka.
Sipas burimeve, dy personat e vënë nën akuzë nuk kanë folur asnjë fjalë rreth veprimtarisë së tyre dhe destanacionin e lëndëve shpërthyese, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshire.
28-vjeçari Marjan Gjoka, banues në Mal të Zi u prangos në flagrancë, teksa po ecte në këmbë në qytetin e Rrëshenit dhe gjatë kontrollit të çantës që mbante në shpinë iu gjeten 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4.
Ndërsa një ditë u prangos në qytetin e Lezhës Ilir Gjoka, ku gjatë kontrollit në trup ju gjeten 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga veprimet e deritanishme hetimore, rezulton se këta persona furnizonin grupet kriminale me lëndë plasëse me telekomande.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




