Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte gjatë natës, 5 emigrantë, kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të 44-vjeçarit, pasagjer në këtë automjet.
Sekuestrohen automjeti tip “BMW”, një celular dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transporimit të emigrantëve nga Vendet e Treta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 27”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi E. P., 44 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. S., 26 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë natës, në dalje të Pogradecit, i është bërë shenjë për ndalim, automjetit që drejtonte 44-vjeçari. Ai nuk i është bindur urdhrit, por ka vazhduar lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje, kanë bërë ndalimin e automjetit, në fshatin Qukës, Librazhd, dhe kanë arrestuar shtetasin E. P., ndërsa shtetasi Xh. S. (pasagjer në këtë automjet), duke përfituar nga errësira, është larguar. Vijon puna për kapjen e tij.
Në automjetin tip “BMW” që drejtonte i arrestuari, ishin 5 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët po transportoheshin kundrejt pagesave, nga 2 shtetasit për të kaluar ilegalisht kufirin, me destinacion vendet e BE-së.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




