Bota

Mbreti Charles shtrohet në një spital privat në Londër për operacionin e planifikuar

Gazeta Si – Mbreti Charles III është shtruar në një klinikë private të Londrës për t’iu nënshtruar një operacioni të planifikuar të prostatës, siç njoftoi Buckingham Palace.

Mbretëresha Camilla e shoqëroi në spitalin privat në kryeqytetin anglez, i cili është i njëjti ku ndodhet Princesha Kate Middleton, e cila po shërohet nga një operacion abdominal.

Mbreti Charles ndodhej në një makinë me Mbretëreshën Camilla. Një lëvizje e pazakontë, sepse gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Elizabeth, ishte zakon që Sovrania dhe bashkëshorti i saj, Princi Philip të shkonin vetëm në klinikë në rast të shtrimit në spital.

Një zëdhënës i Pallatit Buckingham, tha: “Mbreti u shtrua në një spital në Londër këtë mëngjes për trajtim të planifikuar. Madhëria e tij dëshiron të falënderojë të gjithë ata që kanë dërguar urimet e tyre të mira gjatë javës së kaluar dhe është i kënaqur të dëgjojë se diagnoza e tij ka një ndikim pozitiv në ndërgjegjësimin e shëndetit publik”.

Mbreti Charles u shtrua në spital sepse ishte e nevojshme një “procedurë korrigjuese e prostatës”, siç njoftohet në deklaratën e lëshuar nga Pallati në ditën kur u zbulua lajmi për shtrimin në spital të Kate Middleton për një operacion misterioz në bark.

Njoftimi i shtrimit të tij të afërt në spital ka hedhur një hije mbi stabilitetin e mbretërimit të tij dhe ka rindezur thashethemet e pakontrolluara të abdikimit në favor të Princit William.

Në realitet, javën e kaluar, Sovrani zgjodhi të bënte të njohura kushtet e tij shëndetësore për të gjeneruar ndërgjegjësim për nevojën për parandalim: një lëvizje që duket të jetë e pazakontë në Mbretërinë e Bashkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë