Gazeta Si – Përparim Hoxha, kancelari i Prokurorisë së Vlorës dhe Frida Gani, kancelare e Gjykatës së Vlorës, ishin dëshmitarët e radhës në procesin gjyqësor ndaj Alfred Belerit në Gjykatën e Posaçme.
Dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja në proces, u pyetën në lidhje me protokollimin e kërkesave për përgjime.
Dëshmitari Hoxha tha se regjistrin e përgjimeve e mbante zv.drejtuesi i Prokurorisë dhe se veç tij nuk kishte akses njeri tjetër.
“Unë nuk kam akses as te protokolli as te regjistrimi i çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekretarja, e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në prokurorin e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin”, tha ai.
Ndërsa dëshmitarja Gani tha se dosjet sekrete mbërrijnë me zarf të mbyllur në gjykatë. “Pasi protokollohen, ato i dërgohen po në zarf të mbyllur gjyqtarit”, tha dëshmitarja Frida Gani.
Kancelarja shtoi gjithashtu se, nuk ka dijeni që për veprime të ngutshme administrata ka dalë ose jo në punë jashtë orarit zyrtar.
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit shtyu për në 29 janar seancën e shqyrtimit të kërkesës për leje të posaçme të Alfred Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.
Në seancë, avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e gjyqtaees së vetme Daniela Shirka, me arsyetimin se trupa duhet të ishte me tre anëtare dhe jo me një.
Përmes avokatëve, por edhe personalisht nga kafazi i sallës, Beleri ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë, që i refuzoi kërkesën për leje të posaçme nga burgu.
Beleri akuzohet nga SPAK për korrupsion zgjedhor. Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




