Drejtësia

Çështja ‘McGonigal’, a do të pyetet Rama dhe hetimet për Ilir Metën, Dumani: Nuk kanë rëndësi emrat, por provat

Gazeta Si- I pyetur nëse kryeministri Edi Rama do të merret në pyetje për çështjen “McGonigal” dhe nëse hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta për “CEZ-DIA” kanë avancuar, Altin Dumani është treguar diskret.

Megjithatë, kreu i SPAK-ut, në lidhje me fazat e hetimeve të rëndësishme që përfshijnë edhe emra politikanësh të lartë, ka deklaruar se nuk ka rëndësi pushteti dhe se kushdo do të duhet të japë llogari në SPAK kur t’i vijë koha.

“Nuk mund të përgjigjem për pyetje të caktuara. Nuk ka rëndësi emri, por provat dhe nuk ka rendësi pushteti që ka dhe në një moment do t’i duhet kujtdo që të vijë dhe të japë llogari në SPAK apo gjykatë, – deklaroi Dumani. – Ne jemi të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e ‘McGonigal’ dhe gjithë kriteret duhet të ndjehen të zhgënjyer se e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar”.

Në lidhje me fazën e hetimeve të hapura ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Dumani ia preu shkurt: “Çështje nën hetim dhe nuk mund të jap të dhëna”.

Të hënën në SPAK u pyet për rreth 6 orë biznesmeni shqiptaro-amerikan Agron Neza, i cili sipas burimeve u thirr për të dhënë shpjegime në lidhje me verifikimet që Prokuroria po kryen për çështjen “McGonigal” në lidhje me një kallëzim të depozituar në SPAK nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Ish-zyrtari i lartë amerikan Charles McGonigal ka pranuar se kishte marrë 225,000 dollarë nga Agron Neza, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

McGonigal ka pranuar gjithashtu se ishte takuar disa herë me kryeministrin Edi Rama, duke filluar nga shtatori 2017 në prani të Dorian Duçkës, i cili vazhdon të figurojë si “personi B”.

Ndërsa ish-presidenti Ilur Meta është thirrur dy herë në SPAK vitin e kaluar për të dhënë shpjegime për çështjen “CEZ-DIA” si person që ka dijeni.

Hetimet e SPAK lidhen me privatizimin e kompanisë dhe dyshimet për abuzime me mbledhjen e borxheve.

Meta ka mohuar se ka lidhje me çështjen, ndërsa ka akuzuar mazhorancën se e përdor në favor sa herë gjendet në vështirësi dhe krizë.

Ai ka përsëritur se nuk ka lidhje me privatizimin e CEZ-it, pasi pohoi se në atë kohë nuk ka qenë ministër i Ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë