Drejtësia

Kreu i SPAK, Altin Dumani i vendosur në luftën antikorrupsion: Gjithçka varet nga integriteti, mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin

Gazeta Si- Në një takim në Shkodër me studentë të universitetit, kreu i SPAK-ut Altin Dumani, u shpreh këtë të enjte se Prokuroria e Posaçme po tenton të thyejë mitin e pandëshkueshmërisë, pavarësisht emrit apo pushtetit të individit.

“Objektivi në 5 vite është të ketë rënë miti i pandeshkueshmërisë. Zyrtarë të niveleve të larta të merren nën hetim”, u shpreh ai.

Dumani theksoi se SPAK ka pavarësi totale të garantuar nga Kushtetuta dhe se suksesi i Strukturës së Posaçme varet nga integriteti i vetë prokurorit dhe gjykatësit.

“Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit, duhet legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara dhe këto struktura duhet të kenë pavarësi. Ne kemi pavarësi totale, e garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Por gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës. Mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”, – theksoi Dumani.

Në takimin që u zhvillua për luftën kundër korrupsionit pa praninë e kamerave, sipas burimeve Dumani është shprehur se SPAK i ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me grupet kriminale.

“Kemi kapacitet për t’u përballur me grupet e strukturuara kriminale, kemi dhënë prova. Ne çdo ditë hetojmë, marrim persona nën hetim. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale. Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara dhe kemi investuar në teknologji”.

Sipas Dumanit, “koha do ta tregojë pasi jo çdo gjë shkon vaj. Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve edhe me politikën. Jemi përditë në këtë luftë. Kemi dhënë shenja. Për të folur për suksese duhet të presim vendimin e gjykatave, për subjektet e nivelt të lartë”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë