Drejtësia

‘Partizani’ / Jamarbër Malltezi sot në SPAK, bën rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë

Gazeta Si – Këtë të enjte në orën 10:00 do të dalë para prokurorëve të SPAK edhe dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi, i cili do të pyetet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Nga ana tjetër, Malltezi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për heqjen e masës “arrest shtëpie”. Avokatët kërkojnë që Malltezi të mos ketë asnjë masë sigurie me argumentin se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën prokuroria ka ngritur dyshimet.

Rekursi është dorëzuar një ditë më parë, 24 janar, ndërsa po në Gjykatën e Lartë ndodhet edhe rekursi i SPAK që kërkon kthimin e Malltezit në qeli.

Pasi fitoi lirinë në Apel dhe u la në masë arrest në shtëpi, dy avokatët Antoneta Sevdari dhe Jurgen Vatnikaj kërkojnë që klienti i tij të jëtë pa asnjë masë sigurie me argumentin se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën prokuroria ka ngritur dyshimet.

Për Jamarbër Malltezin, SPAK thotë se ai dyshohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin Sali Berisha, duke qenë se sipas saj, duke shfrytëzuar pozitën e kreut të qeverisë, ka marrë përfitime gjatë procesit të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, ndërsa ka arritur të përfitojë në formën e fitimeve të kompanisë, e cila hyri në marrëdhënie për ndërtimin e kompleksit të pallateve afro 5.4 milionë euro.

Sipas prokurorisë ai është paraqitur si investitor në punimet e ndërtimit të pallateve pa investuar dhe ka kryer veprime financiare e transaksione për të fshehur origjinën e parave të përfituara, e për këtë arsye dyshohet se ka kryer dhe “pastrim parash”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë