Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kryer sulme të reja ajrore kundër shënjestrave të rebelëve të Houthi në Jemen.
Pentagoni ka thënë se në sulmet e së hënës janë shënjestruar tetë pika, përfshirë një qendër nëntokësore për rezerva dhe qendrat e nisjes dhe vëzhgimit të sistemeve raketore.
Rebelët e Houthi, të mbështetur prej Iranit, kanë shënjestruar anijet komerciale, që besojnë se janë të lidhura me Izraelin dhe Perëndimin, gjatë kalimit të tyre në Detin e Kuq.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se po tentojnë të mbrojnë “qarkullim e lirë të mallrave”.
Kjo është vala e tetë e sulmeve të SHBA-së kundër shënjestrave të rebelëve Huthi në Jemen, ndërsa i dyti në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Për sulmet e fundit, në deklaratë është thënë se ka pasur koordinim edhe me Australianë, Bahrejnin, Kanadanë dhe Holandën.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, i ka përshkruar sulmet si “vetëmbrojtje” kundër “sulmeve të patolerueshme” të rebelëve Huthi ndaj anijeve komerciale.
Pavarësisht sulmeve paraprake, rebelët e Houthi – të cilët furnizohen, trajnohen dhe këshillohen prej Iranit – vazhdojnë sulmet ndaj anijeve.
Rebelët deklarojnë se i kanë nisur sulmet si përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë.
Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




