Gazeta Si – SPAK ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, ndërsa ndodhet në “arrest shtëpie” nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Kërkesa e depozituar në 15 janar nga mbrojtësit ligjorë të ish-kryeministrit, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, është rrëzuar nga ana e prokurorëve të SPAK në datën 18 janar.
“Personi nën hetim Sali Berisha(i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15.01.2024 një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18.01.2024 Prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj“, njofton SPAK.




Prokuroria ka sqaruar më pas edhe arsyet pse ka refuzar kërkesën e avokatëve. Sipas organit te akuzës kur një qytetar është me masë “arresti shtëpiak” nuk i lejohet të shkojë në punë.
“Në rast se legjislatori do të kishte për qëllim që deputetit nuk duhet në asnjë mënyrë t’i ndërpritet mundësia për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, atëherë do të kishte bërë parashikime të tjera, si në Kushtetutë, ashtu edhe në ligjin procedurial penal. Kjo gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndodhur në këto kushte, vlerësohet të mos pranohet kërkesa e paraqitur nga personi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Sokol Mëngjesi për lejimin e marrjes pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
Sipas SPAK, masa “arrest në shtëpi’ është pothuajse e barabartë me atë të “arrestit në burg”, e cila nuk lejon ushtrimin e profesionit.
SPAK thotë se masat e sigurisë janë në juridiksionin e gjykatës dhe është kjo e fundit që ka lëshuar një masë sigurie ndaj ish kryeministrit në lidhje me çështjen Partizani.
Sipas Prokurorisë, nuk parashikohet në ligj që deputetët, ndaj të cilëve mund të aplikohen masa të tilla, të ndjekin ndjekin seancat plenare në Kuvend.
“Ndodhur ne këto kushte, edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e pajtueshme me zbatimin e masës se sigurimit ‘arrest në shtëpi’, parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, ashtu sikurse është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë. Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij. Lloji i masës shtrënguese, vendoset nga gjykata, duke mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret që kërkohen për caktimin e tyre apo respektimi i detyrimeve te tjera qe lidhen me një mase sigurimi. Aplikimi i masës së sigurimit të arrestit në shtëpi, do të thotë se nevojat për sigurim dhe mbarëvajtje të procesit penal, nevojat për të cilat është vlerësuar të vendoset kjo mase, janë më të mëdha e me të domosdoshme, se sa ato të vërtetuara nga llojet e tjera të masave të sigurimit personal”.
Berisha po qëndron në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, që rëndoi masën fillestare të caktuar ndaj tij me argumentin se ai nuk iu bind vendimit të parë për tu paraqitur në policinë gjyqësore.
GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës më 30 Dhjetor dhe ish-kryeministri nuk ishte i pranishëm në seancën e parë paralamentare pas festave të fundvitit, që u zhvillua të hënën (15 Janar).
Sipas vendimit të gjykatës, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre “që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




