Analize

Drama e opozitarit Nikola Sanduloviç po tregon fytyrën e vërtetë të regjimit të Aleksandar Vuçiç në Serbi

Nga Gazeta ‘Si’-Diçka nuk po shkonte. Kur bashkëshortja mbërriti në shtëpinë e tyre në Beograd të mërkurën e datës 3 janarit, ajo pa se nuk kishte asnjë gjurmë të Nikola Sanduloviç, kreut të Partisë Republikane, një force opozitare serbe me një mbështetje modeste.

Dera ishte e hapur, gjithçka ishte në vendin e vet, dhe telefoni i Sanduloviç ishte e vetmja shenjë që ai kishte qenë atje. Por më vonë, ajo mori vesh se mëngjesin e asaj dite Sanduloviç ishte futur me forcë në një furgon të zi, dhe ishte dërguar në selinë e agjencisë së inteligjencës së sigurisë të Serbisë, BIA.

Gjatë 5 orëve të ardhshme, do të rrëfente më pas ai, 15 agjentë e rrahën aq fort saqë humbi disa herë ndjenjat, pësoi krisje në disa brinjë dhe mbeti i paralizuar në anën e djathtë të trupit. Më pas Sanduloviç u transportua më pas spitalin ushtarak të kryeqytetit, dhe u kthye në shtëpinë e tij rreth orës 16:00 të së nesërmes.

Fotot e bëra kur u kthye në shtëpi, tregonin politikanin duke vuajtur nga dhimbje të mëdha, dhe duke u lëvizur hipur mbi një karrocë.

“Hyra në shtëpinë time të mbushur plot me policë, dhe pashë babain që gati po më vdiste para syve. Isha i sigurt se ai do të vdiste atje. Kjo që ndodhi është një traumë, të cilat do ta mbaj mend për pjesën tjetër të jetës sime. Ndjeja sikur ishte fundi i tij, dhe unë isha i pafuqishme për të bërë ndonjë gjë”- më thotë vajza e tij Klara.

Por Sanduloviç u la të qetësohet vetëm për pak orë më familjen e tij. Sepse po atë mbrëmje, oficerët e policisë mësynë dhe nisën të kontrollonin shtëpinë për prova inkriminuese. Ata kishin me vete edhe një urdhër për arrestimin e tij. Faji i tij, sipas nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë?

Shpërndarja e një videoje në rrjetet sociale, ku ai vendos lule në një kompleks përkujtimor dhe mbi varrin e udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe gati 60 anëtarëve të familjes së tij, të cilët u vranë nga forcat serbe në marsin e vitit 1998.

Homazhet mbi varrin e udhëheqësit të UÇK, Adem Jasharit

Ajo u pa si një akt i urrejtjes kombëtare dhe intolerancës. Sanduloviç u dërgua në komisariatin e policisë dhe më pas në gjykatë, ku i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Mbështetësit e tij thonë se “krimi” i tij i vërtetë, ishte zemërimi i presidentit gjithnjë e më autoritar të vendit, Aleksandar Vuçiç, Partia Progresiste Serbe (SPP) e të cilit arriti një tjetër fitore në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit, një rezultat i njollosur nga akuzat për parregullsi dhe manipulim të gjerë të procesit.

Dhjetëra mijëra protestues u derdhën në rrugët e Beogradit, duke kërkuar anulimin e atij rezultati. “Nën sundimin jodemokratik të Aleksandar Vuçiç, Serbia po zhytet dalëngadalë por me siguri në dhunë dhe korrupsion”-deklaroi para demonstruesve Srđan Cvijiç, monitorues i zgjedhjeve dhe anëtar i institutit kërkimor, Qendra mbi Politikat e Sigurisë, me seli në Beograd.

Sanduloviç është një kritik i ashpër i Vuçiç. Ai e ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin se qëndron pas përpjekjeve për ta frikësuar. Këtu përfshihet edhe ngjarja e 29 dhjetorit, kur ai pretendoi në një postim në platformën X (ish-Twitter), se një person i armatosur kishte hedhur një sasi eksplozivi në shtëpinë e tij.

Katër ditë më vonë, po në X u postua një video në të cilën Sanduloviç kërkonte “falje për të gjitha krimet e kryera” gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe nën udhëheqjen e Slobodan Milloseviç. Në vitin 2018, Vuçiç e quajti “një udhëheqës i madh serb” këtë të fundit, edhe pse ai dënua në Hagë si një kriminel lufte.

Sanduloviç nuk është i vetmi e që e akuzon Aleksandar Vuçiç për çmontimin e demokracisë në Serbi. Organizata jofitimprurëse “Freedom House” me bazë në SHBA, tha në vitin 2023 se SPP kishte “shkelur vazhdimisht të drejtat politike dhe liritë civile në vend”.

Ndërkohë gjatë një debati të zhvilluar këtë javë në Komitetin e Çështjeve të Jashtme në parlamentin britanik, shefi i diplomacisë David Cameron e cilësoi Serbinë një përfaqësuese të interesave të Rusisë në Evropë, duke e akuzuar hapur atë se po vepron në mënyrë aktive për ta destabilizuar Ballkanin.

Klara shprehet e bindur se ishte vetë Vuçiç, ai që kishte miratuar rrëmbimin e babait të saj nga shërbimi sekrete, për shkak të asaj që ai di për lidhjet midis SPP dhe organizatave kriminale. Korrupsioni shtetëror dhe ndërthurja e tij me bandat kriminale, është rritur ndjeshëm që kur Vuçiç u zgjodh president në vitin 2017.

Në raportin e tij të vitit 2023, Indeksi i Krimit të Organizuar Global, deklaroi se disa politikanë sërbe të rangjeve të larta janë “raportuar si aleatë me huliganët e futbollit në Serbi”, dhe se ata mbyllin sytë ndaj aktiviteteve të tyre kriminale në këmbim të mbrojtjes.

Klara thotë se tani e sheh Serbinë si një “diktaturë”, ku kritikët e qeverisë aktuale siç është edhe babai i saj “eliminohen, edhe kur nuk kanë bërë asnjë faj”. Ajo thotë se për 6 ditë me radhë, policia refuzoi t’i jepte informacion mbi shëndetin e babait të saj.

Klara u lejua që ta shihte për pak minuta më 10 janar. Klara pretendoi se Sandulović kishte ende në trup mavijosjet e shkaktuara nga torturat që kishte përjetuar, kishte rënë shumë në peshë, dhe kishte nevojë për një tub të futur në qafën e tij, pasi në një moment ndaloi së marri frymë.

Komisioni Evropian thotë se po ndjek nga afër arrestimin dhe “keqtrajtimin” e supozuar të Sanduloviç, duke shtuar se pret që “të respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve serbë”.

“Unë jam e sigurt që nëse e mbajnë në burg për më gjatë, shëndeti i tij do të përkeqësohet çdo ditë, dhe kjo gjë do t’i shkaktojnë dëme të pakthyeshme. Por fatkeqësisht nuk është kjo frika ime e vetme. Unë jam e sigurt se nëse vendosin ta mbajnë atje për 30 ditë, ai nuk do të dalë i gjallë nga burgu”- thekson Klara.

Burimi: The new european/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë