Gazeta Si – Tre shtetas rumunë janë shpallur në kërkim pasi është konstatuar se kanë vjedhur shuma monetare duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike, me anë të prodhimit të kartave të klonuara, kartave te vjedhura dhe duke dëmtuar ATM, me mjete të forta në 2 institucione të ndryshme financiare në Tiranë.
Sipas asaj që njofton policia janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre rumunët: Florin Oprinoiu 51 vjeç, Marian Mihai, 45 vjeç, Adrian Simoiu, 20 vjeç, të tre banues në Rumani.
Bëhet e ditur se ngjarjet kanë ndodhur në data të ndryshme, ku policia ka arritur të zbardhë, 2 raste mbetur në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga këta 3 persona.
Ndërkohë, sipas burimeve paraprake tre të shpallurit në kërkim arrinin që të klononin karta bankomati dhe kanë arritur që të marrin rreth 5 mln lekë.
Jo vetëm bankat e nivelit të dytë, por viktimë në këtë skemë kanë rënë edhe disa qytetarë, ku autorët kanë arritur që të klonojnë kartat e tyre dhe më pas kanë bërë tërheqjen e shumave të parave.
Krimi Kibernetik prej disa ditësh i kishte në ndjekje autorët, ndërkohë vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve kriminale dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




