Drejtësia

Berisha kërkon leje për të shkuar në Parlament, SPAK e thërret të enjten për ta marrë në pyetje për herë të parë

Gazeta Si – SPAK ka njoftuar Sali Berishën për ta marrë në pyetje për herë të parë ditën e enjte (18 janar) për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, pak pasi avokatët e ish-kryeministrit i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të çështjes për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.

Por sipas burimeve, avokatët mbrojtës kanë kërkuar që të caktohet një datë tjetër për marrjen në pyetje të Sali Berishës, pasi kanë deklaruar se kanë impenjime të tjera në atë ditë.

Referuar të njëjtave burime, SPAK gjithashtu ka njoftuar dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin për ta marrë në pyetje ditën e nesërme (17 Janar) në cilësinë e personit nën hetim.

Ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe po hetohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Sa i takon kërkesës për leje për të marrë pjesë në seancat plenare të Berishës në Parlament, avokatët e tij argumentojnë se kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën si ligjvënës.

Me argumentin se pjesëmarrja në seancë është në përmbushje të detyrimit që buron nga ky funksioni i deputetit, “si person i zgjedhur nga sovrani, për të ushtruar të drejtat dhe liritë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, avokatët kërkojnë që Berisha të dalë nga “arresti shtëpiak” sa herë të ketë seanca plenare.

“Për këtë arsye, duke qënë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur. Kërkojmë që të merret në konsideratë nga ana juaj kjo kërkesë jona legjitime dhe nëse e konsideroni të arsyeshme të përcaktoni edhe modalitet e lëvizjen së z. Berisha nga banesa në sallën e sancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje vetëm për të marrë pjesë në sallën e sancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, – thuhet në kërkesën e avokatëve.

Duket se përmes kësaj lëvizje avokatët duan të shpëtojnë mandatin e deputetit për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas rregullores së Kuvendit, deputeti humbet mandatin në rast të mosparaqitjes për 6 muaj në seancë plenare.

Tashmë vendimmarrja mbetet në dorë të prokurorëve Arben Kraja e Enkeleida Millonai për të pranuar ose jo kërkesën e ish-kryeministrit.

GJKKO vendosi të lërë në “arrest shtëpie” ish-kryeministrin Sali Berisha në 30 dhjetori 2023, i akuzuar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, ndërsa më 21 dhjetor 2023, Kuvendi i hoqi imunitetin me 75 vota pro.

Nga ana tjetër kërkesat e vazhdueshme të avokatëve të tij mbrojtës për përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka, trupi gjykues i ka vlerësuar se ato janë kryer me qëllim për të zvarritur procesin.

Vendimi i zbardhur iu vu në dispozicion ish-kryeministrit Berisha dhe avokatëve të tij mbrojtës që paralajmëruan se do i drejtoheshin Gjykatës së Posaçme të Apelit për të hequr masën e arrestit. shtëpiak.

Ndërkohë çdo mbrëmje dhjetëra mbështetës të Berishës mblidhen para shtëpisë së tij në rrugë “Mustafa Matohiti” në Tiranë, duke protestuar për masën që e la atë në “arrest shtëpie”.

Në shkelje të ligjit, që e ndalon të flasë me persona të tjerë përveç familjarëve të tij, Berisha ka mbajtur fjalime nga dritarja e banesës.

Sipas organit të akuzës, ish-kryeministri Berisha ka konsumuar akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim.

Vepër kjo e ngritur nga SPAK pas dyshimeve se Berisha kur mbante detyrën e kryeministrit, ka kryer veprime duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.

Gjithashtu prokuroria thotë se Berisha në cilësinë e kryeministrit ka vënë në dispozicion të Malltezit, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit.

Të gjitha këto procedura të ndjekura nga Malltezi, tashmë i vënë nën akuzë për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, sipas SPAK janë kryer me qëllim privatizimin e ish-kompleksit, e më pas ndërrimin e destinacionit të tij për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh.

Për ndërtimin e këtij të fundit, SPAK thotë se ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Përfitimet kanë qenë monetare, dhe sipas prokurorisë marrja e tyre është bërë pasi Malltezi ka qenë nën cilësinë e investitorit tek shoqëria “Homeplan shpk”, ku SPAK thotë se dhëndri i Berishës nuk kishte investuar asgjë.

Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, përllogariten në total në rreth 5.4 milionë euro.

Por për të vënë në jetë këtë skemë, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se Jamarbër Malltezi ka bashkëpunuar me ndërtuesin e bllokut të pallateve në ish-kompleksin sportiv, Fatmir Bektashin, ndaj të cilit SPAK ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë