Gazeta Si – Hetimet e policië belge për grupin e 12 shqiptarëve të arrestuar mëngjesin e të mërkurës në Anversë të dyshuar për trafik droge dhe armësh, kishin nisur që në vitin 2022.
Mes të arrestuarve, është edhe shqiptari Fatos Markaj, i licensuar për tajner futbolli atje, i cili sipas policisë belge rezulton të jetë një nga personat që drejtonte grupin kriminal si figurë kryesore e tij.
Sipas mediave belge, 51-vjeçari rezulton të jetë edhe pronari i kafenesë “Pimpelhof” në Seefhoek të Anversës.
Në këtë ambient mblidheshin edhe anëtarët e grupit për të bërë pazaret e tyre për trafikimin e armëve dhe drogës nga Amerika Latine. Lokali i shqiptarit ishte një nga 19 vendet ku policia belge bastisi mëngjesin e së mërkurës.
Po ashtu, Fatos Markaj kishte edhe një piceri shumë pranë lokalit, ndërsa ishte i certifikuar edhe si trajner futbolli.
Hetimet
Sipas zyrës së Prokurorit Publik në Anversë, me kalimin e kohës u bë e qartë se banda e dyshuar merrej edhe me kontrabandën dhe trafikun e drogës.
“Menjëherë doli të ishte kompleks dhe në shkallë të gjerë. Kjo ndodh brenda mjedisit kriminal shqiptar”, – tha prokuroria.
Sipas mediave belge, fillimisht hetimi është fokusuar në trafikun e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse.
“Gjashtë të dyshuar u identifikuan të parët”, – shpjegon zëdhënësi i zyrës së prokurorit publik, Kristof Aerts.
“Ata kanë një rrjet ndërkombëtar, i cili u lejon atyre të furnizojnë shpejt armë dhe eksplozivë”. Koordinator i organizatës dyshohet se është 51-vjeçari Fatos Markaj.
Takimet në kafene dhe droga
Një nga vështirësitë për hetuesit belg, ishte se të dyshuarit ishin shumë të kujdesshëm në komunikimet e tyre.
Ata iu shmangën telefonave (për shkak të frikës së përgjimeve), duke preferuar të takoheshin personalisht, sidomos në një kafene në Seefhoek.
Megjithatë, hetimet nuk u kufizuan vetëm te armët dhe eksplozivët. “Gjatë hetimit, u zbuluan edhe prova të rëndësishme për trafik droge”, thotë Aerts.
“Një 55-vjeçar dyshohet se drejton një organizatë që merret me importin, eksportin dhe tregtimin e lëndëve narkotike”, – saktësoi Aerts, duke nënkuptuar se kishte lidhje me grupin e personave të arrestuar.
Hetuesit e Policisë Gjyqësore Federale (FGP) në Anversë, thanë se ka pasur bashkëpunim edhe me partnerë ndërkombëtarë dhe janë aplikuar teknika të gjera policore.
Një ditë më parë, policia belge kontrolloi njëkohësisht 19 shtëpi në në Anversë, Borgerhout, Linkeroever, Sint-Niklaas dhe Ans (Liège), ku mes të arrestuarve janë edhe 12 shqiptarë.
Në operacion, morën pjesë 275 policë nga rajone të ndryshme, njësi speciale, ekipi i reagimit të shpejtë dhe brigada e qenve. Të pranishëm ishin edhe Dogana dhe Shëndeti Publik i SHPSF-së.
Policia e Shtetit i zbuloi rstësisht?
Sipas Policisë së Shtetit, e cila publikoi dhe emrat e të arrestuarve, kjo organizatë kriminale trafikonte drogë dhe armë nga vende të Amerikës Latine drejt Belgjikës.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, mësohet se ky grup kriminal, ‘koka’ e të cilit është një 55-vjeçar shqiptar, u zbulua fillimisht gjatë hetimeve që Policia e Shtetit kryente për operacionin “Flakë në det” përgjatë verës së vitit të kaluar, në mënyrë rastësore nga përgjimet dhe hetimet e tjera pro aktive.
Sasia e drogës, por edhe armët shpërndaheshin edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, në bazë të kërkesave që organizata kishte.
Të arrestuarit janë
Valdrin Markaj, 45 vjeç
Vitor Berisha, 49 vjeç,
Fatos Markaj, 51 vjeç
Sami Berisha, 64 vjeç
Nehat Berisha, 42 vjeç,
Flamur Delic, 34 vjeç
Fatmir Delic, 60 vjeç
Zirkret Pepa alias Christos Sachlikidis 50 vjeç
Bujar Hoxha 50 vjeç
Gëzim Shabani 41 vjeç
Alban Ferma 29 vjeç
Artan Vigani 42 vjeç
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.