Taksa

Pas njoftimit për çmimin e referencës, rritet edhe taksa e ndikimit në infrastrukturë për Vlorën dhe Shkodrën

Nga Gazeta ‘SI’ – Me nisjen e vitit të ri 2024, disa zona të qytetit të Vlorës dhe Shkodrës do të paguajnë më shumë para për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Këshillat Bashkiake të dy qyteteve kanë miratuar ndryshimet e reja.

Vlora

Për ndërtimet e reja në Vlorë, kjo taksë do të jetë 4 deri në 8%. Sipas vendimit, ndërtimet e reja në bulevardin kryesor, zona Transballkanike dhe në njësinë Orikum, do të paguajnë 6% taksë ndikimi në ndërtim.

8% do të aplikohet në zonën  e Skelës dhe Tunelit, pra zonat me më shumë aktivitet ekonomik.

Shkodra

Edhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar të njëjtën normë taksimi për ndërtesat e reja, të ndara po sipas zonave. Në Theth, Velipojë, Shirokë dhe zonën historike të qytetit, taksa për ndikimin në infrastrukturë është vendosur 8%.

Në hapësirën brenda qytetit taksa është vendosur 6% dhe për të gjitha njësitë e tjera që Shkodra administron 4%.

Rritja e kësaj takse, si kosto e shtuar pritet të rrisë më tej çmimet e banesave në të dyja qytetet që prej kohësh janë bërë destinacione turistike me rëndësi dhe tërheqëse për investim në imobiliare. Një presion i shtuar pritet të jetë edhe rishikimi i çmimeve të referencës për zonat bregdetare, siç njoftoi ministri Mete, duke shtrenjtuar automatikisht pronat pranë detit.

Subjekt i taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja janë të gjitha bizneset që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.

Për Tiranën kjo taksë është në nivelin maksimal 8% dhe është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për Bashkinë Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë