Lajme

PD publikon dokumentet: Pas 20 mln eurove të Unazës së Re qëndron Rama

Partia Demokratike përforcon akuzat se pas tenderit për ndërtimin e aksit të Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike tek Sheshi Shqiponja fshihet një aferë e madhe korruptive, pas të cilës akuzon se qëndron personalisht Kryeministri Edi Rama.

Deputeti Agron Shehaj ka publikuar në rrjetet sociale brenda 24 orëve dy dokumenta. Në të parin ai paraqet ekstraktin e kompanisë “DH Albania”, e cila është shpallur fituese për ndërtimin e një loti në këtë aks prej 2 kilometrash rrugë.

Sipas këtij dokumenti të QKR-së, “DH Albania” është regjistruar në Shqipëri më 18 korrik të këtij viti, si degë e shoqërisë së huaj “Dunwell Haberman”, që Shehaj thotë se është kompani e regjistruar në parajsat fiskale.

https://www.facebook.com/agronshehaj.al/photos/a.114747839119262/318248565435854/?type=3&theater

“Rreth 20 milionë euro të projektit të Unazës së Re do t’i shkojnë një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale në Delaware, përmes një kompanie nga ishujt Seyschelle, e cila nuk ka asnjë aktivitet dhe nuk ka as punonjës. Arsyeja më bindese për të shpjeguar se pse Edi Rama nuk tregon se kush janë pronarët e kësaj kompanie fasadë është se pas saj është… ai vetë”, shkruan deputeti demokrat.

Në dokumentin e dytë, Shehaj publikon dokumentin e regjistrimit të kompanisë mëmë të “DH Albania” në shtetin e Delauerit. Sipas këtij dokumenti, Dunëell Haberman është regjistruar në këtë shtet më 25 qershor.

“Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se kush është personi që do përfitojë 20 milionë eurot e projektit të Unazës së Re që do t’i shkojnë kompanisë guackë Dunwell Haberman. Ky dokument tregon se jo vetëm dega shqiptare, por edhe që kompania mëmë është krijuar tre muaj para tenderit!”, deklaron Agron Shehaj.

https://www.facebook.com/agronshehaj.al/photos/a.105473546713358/318602322067145/?type=3&theater

Deputeti demokrat vë në dyshim edhe vullnetin e prokurorisë për të hetuar në këtë rast.

“Për ata që mendojnë që duhet t’i drejtohem prokurorisë, unë nuk kam asnjë informacion që nuk është publik dhe prokuroria nuk ka nevojë për mua që të hetojë, përkundrazi, e ka për detyrë. Nëse nuk do ta bëjë, është çështje tjetër”, mbyll reagimin e tij Agron Shehaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë