Drejtësia

Vrasja për hakmarrje e Edmond Papës, shkon në gjyq dosja ndaj dy të dyshuarve

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e Edmond Papës dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen ndaj dy autorëve të dyshuar, Andrea Bode dhe Albano Velo.

Ndaj tyre rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”. Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt i njohur ndryshe si “Sanço”, gjatë një atentati me minë të telekomanduar.

Prokuroria ka ndarë një procedim penal për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në vrasjen e Papës.

Edmond Papa u ekzekuta në Tiranë më 16 dhjetor 2022 dhe dyshohet se u eleminua si shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së 27-vjeçarit Aleksandër Sadikajt tek rrethrrotullimi i TEG, më 11 qershor 2022.

Albano Velo, 30-vjeçari i arrestuar nga policia e Tiranës si autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, është kunati i Aleksandër Sadikajt. I riu është bashkëshorti i motrës së Aleksandër Sadikajt dhe djali i një efektivi policie.

Ndërkohë, Andrea (Edvin) Bode, i dyshuari si një nga autorët që morën pjesë në ekzekutimin e Edmond Papës është ende në kërkim.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Bode është i dyshuari kryesor si ekzekutor i Papës, e provuar sipas saj nga pamjet filmike dhe qelizat telefonike që kanë konstatuar prezencën e tij pranë vendit të ngjarjes në kohën kur është kryer vrasja.

44-vjeçari rezulton me precedent penal për drogë, por i pa dënuar me vendim të formës së prerë. Hetuesit dyshojnë se ky i fundit ka gisht në ekzekutimin mafioz të disa muajve më parë.

Deri në këtë fazë të hetimit, hakmarrja, por edhe trafiku i lëndëve narkotike është pista kryesore që dyshohet se solli vrasjen e biznesmenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë