Sociale

Reshje të dendura shiu dhe bore në zonat malore. Qindra familje në Korçë e Pogradec pa energji

Gazeta Si - I gjithë vendi është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, ku nga moti i keq, mbi 300 familje në Korçë e Pogradec kanë mbetur pa energji elektrike.

Sipas OSSHE-së, bëhet me dije se 150 familje të fshatrave të njësisë administrative Lekas në Bashkinë e Korçës janë pa energji.

Pa energji elektrike janë edhe 169 familje në 5 fshatra të njësisë administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit.

170 familje janë pa energji elektrike dhe në fshatra të bashkisë së Kolonjës që furnizohen nga fidri 2 i nënstacionit të Ersekës.

Pa energji elektrike janë tre fshatra në Moglicë të bashkisë së Maliqit ndërkohë që probleme te shkëputjes së energjisë elektrike gjatë orëve të fundit ka patur dhe në fshatra të njësisë administrative Vithkuq dhe Bulgarec të bashkisë së Korçës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se grupet e punës kanë qenë në terren për të bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës.

Si pasojë e temperaturave të ulëta, në akset Korçë-Dardhë, Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë dhe në Valbonë ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar. Megjithatë rrugët janë të pastruara dhe qarkullimi vijon pa probleme.

“Temperaturat kanë qenë të ulëta. Në Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, në Valbonë nga km 20 ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar. Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndërprerje. Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme”, njoftoi ARRSH.

Edhe në veri të vendit, raportohet për reshje të dendura dëbore. Në akset e Lotit 1, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth ka pasur reshje shiu gjatë gjithë natës.

Në lartësitë mbi 1000 metër në aksin Bogë-Theth ka reshje bore, ndërkohë që është punuar me dy mjete për pastrimin e rrugës nga bora. Aktualisht, rrugët janë të hapura për qarkullim.

ARRSH i bën thirrje drejtuesit të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë