Gazeta Si – Rafael Nadal heq dorë nga Australian Open. Kampioni spanjoll, i rikthyer në fushë në Brisbane pas një viti ndalesë, ka bërë të ditur vendimin në lidhje me turneun e parë Slam të sezonit me një postim në rrjetet sociale.
“Gjatë ndeshjes së fundit në Brisbane pata një problem të vogël muskulor, që më ka shqetësuar. Sapo mbërrita në Melburn bëra një rezonancë manjetike dhe kam një mikrotërheqje. Jo në të njëjtën pjesë të dëmtimit dhe ky është një lajm i mirë. Në këtë moment nuk jam gati për ndeshje me nga 5 sete. Do të kthehem në Spanjë për të takuar mjekun, të rikuperohem dhe të pushoj”, – shkruan Nadal.
Keqardhje për një nga tenistët më të mëdhenj, pasi mendohej se ai do të merrte pjesë në Australian Open.
“Kam punuar fort gjatë vitit për rikthimin dhe, siç kam thënë gjithmonë, objektivi im është të arrij nivelin më të mirë në 3 muaj, – vazhdon Nadal në postimin e tij. – Përtej trishtimit që nuk do luaj përpara një publiku fantastik, nuk është një lajm i keq gjithsesi dhe jam optimist për sezonin.
Doja të luaja vërtet në Australi, pata mundësinë të zhvilloja disa ndeshje që më bënë të lumtur dhe me energji pozitive. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen, shihemi shpejt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.