Gazeta Si – Pas një pritjeje të gjatë 517 ditë, rishfaqet Naomi Osaka. Tenistja e njohur japoneze, ish-numri 1 në botë, ka luajtur ndeshjen e parë si nënë. Në Brisbane ajo mundi gjermanen Tamara Korpatsch 6-3 dhe 7-6.
Nuk luajti keq japonezja, por sigurisht jemi ende shumë larg nivelit që e ka lejuar atë të fitojë 4 turne Slam në karrierë, si dhe për një periudhë të dominojë tenisin botëror, veçanërisht në çimento. Naomi Osaka luajti mjaft e qetë dhe e lirshme për një set edhe për shkak të diferencës së madhe me rivalen.
Në setin e dytë loja e japonezes ra, me më shumë gabime dhe me një ritëm që kundërshtarja arrinte ta mbante pa shumë probleme. Normale, duke parë mungesën e gjatë të Osakës në një kompeticion zyrtar. Gjithsesi, ajo kaloi me ‘tie break’, duke arritur ta mbyllë ndeshjen me 2 sete.
Në raundin tjetër Osakën e pret një ndeshje shumë më e komplikuar ndaj Karolina Pliskovës, që ka fituar tri herë titullin në Brisbane, edhe ajo ish-numri 1 në botë. Një kundërshtare pa dyshim shumë më e fortë se Korpatsch.
“Pas atij Roland Garros (ku u tërhoq) u mbylla në vetvete. Nuk besoj se ishte e drejtë. Kur njerëzit më japin pozitivitet dhe gëzim, është e drejtë të ndryshoj. Ndeshjet e luftuara më përgatisin për atë që do të vijë më pas. Do të ishte pak realiste të mendoja se do fitoja 6-1, 6-1”, – tha Osaka pas ndeshjes së parë në Brisbane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.