Para

Parashikimi i Bitcoin për 2024-n dhe hapat që duhet të ndjekë Shqipëria për adaptim

Nga Gazeta 'SI' - Një ndër të surprizat e 2023-shit ishte rritja e shpejtë e vlerës së tregut të kriptomonedhave. Me Bitcoin në krye, të gjithë kriptot përjetuan muajt e tyre më të mirë që nga pika më e ulët e arritur gjatë vitit 2022, me një rritje mesatare rreth 120%.

Edhe pse një treg i spekulativ dhe kryesisht i parregulluar, me pak vigjilencë, mund të parashikohet edhe e ardhmja e kriptomonedhave.

Henri Ndreca, eksperti i tregjeve të aseteve digjitale dhe kriptove parashikon për Gazetasi.al fatin e Bitcoin dhe tregon “formulën” për adaptimin e tyre në Shqipëri.

Në analizën e tij optimiste, Ndreca parashikon që kriptomonedha më e madhe në botë të arrijë në 350 mijë dollarë në pikun e saj të rradhës (mes 2025-2027). Ai ndalet në 4 zhvillime kryesore që do të vendosin fatin e Bitcoin.

“Të parat janë normat e interesit. FED (Rezerva Federale, autoriteti monetar i SHBA) pritet të ndjekë një qasje të zbutur duke i ulur normat e interesit në vitin e ardhshëm. Nga këtu nis një efekt zinxhir, pasi norma më të ulëta do të thotë më shumë kapital dhe likuiditet në treg. Rrjedhimisht investitorët janë më optimistë dhe më të gatshëm të alokojnë kapital në asete me rrezik, duke filluar nga aksionet e kompanive teknologjike në asetet digjitale si Bitcoin”, tregon Ndreca.

Ecuria e çmimit të Bitcoin janar-dhjetor 2023, Tradingview.com/Gazeta 'SI'

Në vend të dytë është fenomeni i “halving” (përgjysmimit) të sasisë së re të Bitcoin të hedhur në treg. Sipas rregullave të protokollit, çdo 4 vite sasia e Bitcoin-ave të prodhuar përgjysmohet deri sa të prodhohet e gjithe sasia prej 21 milionë njësish.  Kështu nga norma 6.25 Bitcoin për bllok, pas prillit 2024 do të prodhohen vetem 3.12 Bitcoin, duke zvogëluar presion e shitjes në treg.

Kjo sipas Ndrecës, ”është ekonomiks i thjeshtë”.

“Kur bie oferta (prodhimi), dhe kërkesa mbetet e njejtë, atëhere rritet çmimi. Në treg do të ketë më pak Bitcoin të ri në qarkullim, ndërkohë që shtimi i kërkesës nga faktorët e sipër përmendur dhe ajo që do themi më poshtë, mund të ndikojë në rritje të mëtejshme të vlerës”.

Kompania më e madhe e manaxhimit të fondeve në botë me mbi $10 trilion nën menaxhim, BlackRock së bashku me menaxherë të tjerë asetesh si Fidelty, Ark Invest, etj po tentojnë të prezantojë Bitcoin në tregjet tradicionale si një “fond i tregtueshëm” (ETF) dhe janë në pritje të miratimit nga SEC (Komisioni i Letrave me Vlerë) për të listuar këtë mjet financiar në Bursën e New York-ut duke siguruar ekspozim institucional kundrejt asetit.  Kjo është pika e tretë për Ndrecën që do të nxisë më tej çmimet e kriptomonedhës.

“Nëse miratohet propozimi i BlackRock nga Komisioni i Letrave me Vlerë, SEC, Bitcoin do të marrë një tjetër shtysë. Tregtimi i saj si ETF do të thotë se pajtueshmëria ligjore është e plotë, tregtia është më e sigurt dhe investitorët janë më të mbrojtur nga rreziqet operacionale të palëve të treta.”

Zhvillimi i fundit, por jo nga rëndësia, është miratimi i rregullores MiCa në BE dhe udhëzimeve të ngjashme në Britani, Hong Kong, e Singapor që do ta bënte investimin në këtë treg më të besueshëm.

Bitcoin në Shqipëri

Në një panoramë më lokale ku të dhënat janë të kufizuara, Ndreca tregon ‘formulën’ e adaptimit të kriptomonedhave në Shqipëri.

“Ne kemi një ligj të miratuar për kriptot, por ai nuk ka gjetur zbatim për një mori arsyesh, ku mund të përmendim dhe tregun lokal të pa maturuar. Me implementimin e rregullores së MiCA gjatë Qershor-Dhjetorit 2024 nga Bashkimi Europian edhe Shqipëria do të detyrohet ta implementojë atë edhe në kuadër të unifikimit legjislativ dhe të anëtarësimit në bllokun Europian. Kjo automatikisht do të hedhë poshtë ligjet aktuale të kriptoaseteve në vendet e BE, se bashku me ligjin e miratuar nga Kuvendi jonë”

Ai shton se duhet edhe një konsensus i fortë midis autoriteteve ligjvënëse dhe atyre monetare në vend për të zhvilluar tregun e kriptomonedhave, që nga kuadri ligjor, sistemi pagesave dhe tek politikat fiskale nxitëse për tregjet e kapitalit.

Ndreca thotë se të dhënat për Shqipërinë janë të kufizuara, por investimet spekulative në bursat ndërkombëtare janë kryesisht në vlera të ulëta krahasuar me tregjet e zhvilluara.

Indeksi i Kriptomonedhave 2023

Në Indeksin eKriptove 2023, Shqipëria është përmirësuar me 12 pozicione nga viti i shkuar, vlerësuar nga pesë tregues të. Sipas pikëzimit, Shqipëria vlerësohet me 0.009 pikë, ku 1 është më e larta. Në rajon vendi jonë është i dyti, pas një diference të ngushtë me Serbinë që listohet e 66-a dhe vlerësohet me 0.012 pikë. 

Në treguesin e parë “vlera e transaksioneve në shërbime të centralizuara”, ku Shqipëria renditet në vendin e 106-të nga 155 vende, raporti mat aktivitetin e kriptomonedhave në shërbime të centralizuara (platforma këmbimi) në raport me fuqinë blerëse të qytetarëve, PPP, sipas vendit. Sa më i lartë të jetë raporti i vlerës së marrë ndaj PPP për frymë, aq më e lartë është renditja, që do të thotë se Shqipëria është ndër vendet me transaksionet më të larta në kripto për vitin 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë