Drejtësia

Paditi dëshmitarin për deklaratë të rreme, GJKKO pranon ankimimin e Belerit dhe rrëzon kërkesën e tij për liri

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka pranuar ankimimim e Fredi Belerit për vendimin e SPAK, i cili vendosi mosfillimin e procedimit penal të bërë nga kryetari i zgjedhur i Himarës ndaj dëshmitarit të drejtësisë, Arsen Rama.

Por në një vendim të dytë brenda pak minutash, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Belerit për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke e lënë në “arrest në burg” për blerje votash për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Më herët, SPAK mori vendimin për mosnisjen e hetimeve ndaj Arsen Ramës, i cili u akuzua nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës për deklarim të rremë.

Sipas Gjykatës, SPAK duhet të shpallte moskompetencë dhe ta delegonte kallëzimin në një prokurori rrethi.

GJKKO vendosi që të shfuqizojë vendimin e datës 11 tetor të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mosfillimin e procedimit penal ndaj Arsen Ramës dhe të pranojë ankimin e paraqitur nga Beleri.

“Pas vlerësimit të kallëzimit penal të sipërcituar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 11.10.2023 vendosi: “Mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin penal Nr. 211 datë 09.10.2023 të depozituar nga shtetasi Dhionisios Alfred Beleri. Ky vendim i njoftohet kallëzuesit, i cili ka të drejtën e ankimit  në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni”.

Dëshmitari i drejtësisë Arsen Rama, është personi që ka realizuar audio-përgjimi që çoi në burg fituesin e “BF” për Bashkinë e Himarës.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve vendore dhe akuzohet për blerje votash.

Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimit e tij të paligjshëm e politik dhe kërkon të lejohet që të kryejë betimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë