Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të vendosë këtë të mërkurë për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, nëse do të ashpërsohet ose jo.
SPAK ka kërkuar nga detyrim paraqitje, masën e “arrestit të shtëpisë” ndaj ish-kryeministrit Berisha.
Seanca e djeshme u shty pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me kërkesën dhe pretendimet e SPAK që argumenton se Berisha nuk zbatoi masën e parë, atë të detyrimit për t’u paraqitur.
Për këtë arsye, vendimi nëse do të ketë zëvendësim mase pritet të merret sot në orën 11:00.
SPAK kërkon arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore dhe ndalimin e çdo lloj komunikimi të tij me persona të tjerë përveç atyre që jetojnë me të në të njëjtën banesë.
Ndërkohë, po ditën e sotme pritet edhe vendimi i Gjykatës së Lartë për vulën e Partisë Demokratike dhe është paralajmëruar protestë nga opozita përpara kësaj gjykate.
Në ambientet e jashtme të Gjykatës së Lartë kanë nisur të mblidhen qytetarët për të protestuar teksa pritet të nisë seanca për vulën e Partisë Demokratike.






Rruga është bllokuar nga protestuesit, por në kërkesën që është dorëzuar në Policinë e Tiranës nuk ka qenë e sanksionuar.
Sipas burimeve të policisë, protesta do të zhvillohej në hapësirën e trotuarit, rreth parkut Rinia, pa penguar qarkullimin.
Fillimisht është tentuar komunikim me përfaqësuesit e Rithemelimit përmes zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Luigj Vathi, sipas protokollit zyrtar dhe më pas vetë kryepolici Tonin Vocaj. Deri tani nuk ka dakordësi për hapjen e rrugës për të rikthyer qarkullimin.
Gjykata e Lartë do të vendosë mëngjesin e sotëm për rrugën që do t’i japë çështjes së kujt i përket vula dhe simbolet e Partisë Demokratike.
Në dhomë këshillimi do të shqyrtohet kërkesa e paraqitur prej mbështetësve të Berishës, sipas të cilëve në fuqi duhet të jetë vendimi i Shkallës së Parë, ku Agron Zhukri të drejtën ia la Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit.
Sipas procedurës, trupa do të ketë mundësinë që të marrë vendim, pa dëgjuar palët, por në shqyrtim të dokumenteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



