Nga Gazeta ‘Si’-Përveç festimeve, fundi i vitit është edhe periudhë analizash. Për të reflektuar mbi atë që ndodhi, për të shijuar sukseset, marrë masat për gjërat që nuk ecën si duhet, dhe për të planifikuar se çfarë do të bëhet në të ardhmen.
Për këtë arsye, midis temperaturave tejet mbi mesataren, kompjuterëve super të fuqishëm, kafshëve jetëgjata, ilaçeve të reja etj, ne ju ofrojmë përzgjedhjen mbi rekordet e vitit që po lëmë pas:
1. Viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë
Kjo dukuri ishte hipotetizuar që verën e vitit të kaluar, dhe më pas të dhënat e agjencisë evropiane “Copernicus” e konfirmuan në mënyrë të pakundërshtueshme.
Nga janari deri në tetor 2023 temperatura mesatare globale ishte 1.43 °C më e lartë se në epokën para-industriale, ose 10 për qind më e lartë se ajo e regjistruar në 10 muajt e parë të vitit 2016 që ishte një tjetër rekord në këtë aspekt.

Sigurisht, rryma oqeanike El Niño kontribuoi ndjeshëm në ngrohjen e madhe globale këtë vit. Por “Copernicus”, nënvizon se anomalitë e lidhura me këtë fenomen “janë më të vogla sesa ato që kanë qenë historikisht më të mëdha, të vërejtura në vitet 1997 dhe 2015”.
2. Gjeneruesi më i shpejtë i numrave të rastësishëm
Problemi i gjeneratorëve të rastësishëm të numrave, është një nga më interesantët dhe më kompleksët në informatikën moderne. Në mars të këtij viti, një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Gentit në Belgjikë, të koordinuar nga Cédric Bruynsteen, zhvilluan një çip të aftë për të matur (dhe hartuar) të ashtuquajturat luhatje kuantike të vakuumit, një fenomen natyror i paparashikueshëm, pra i rastësishëm.

Shkencëtarët arritën të krijojnë gjeneratorin më të shpejtë të numrave të rastësishëm. Ai mund të përdoret për të përmirësuar sigurinë e sistemeve kompjuterike.
3. Miu më i moshuar në botë
Emri i tij është Sima, që në gjuhën hindu do të thotë kufi. Është një mi i lindur në laborator më 28 shkurt 2019 dhe që jetoi 47 muaj, duke u bërë zyrtarisht miu më jetëgjatë në botë. Sima mori pjesë në një eksperiment mbi çështjen e jetëgjatësisë dhe plakjes.

Atij iu dha një dietë e kufizuar me kalori dhe plazmë e pastruar dhe e koncentruar. Kjo kurë është patentuar dhe mund të testohet në të ardhmen edhe tek njerëzit.
4. Përshpejtuesi i grimcave që mund të mbahet në xhep
Është vetëm gjysmë milimetri i gjatë, dhe i aftë të gjenerojë impulse lazer shumë të shkurtra për të shtyrë elektronet, duke i bërë që ato të fitojnë 43 për qind më shumë energji. Përshpejtuesi më i vogël i grimcave në botë u zhvillua nga një grup fizikantësh nga Universiteti Fridrih-Aleskandër në Nurenberg, Gjermani.

Shkencëtarët shpjegojnë se pajisja përbën hapin e parë drejt krijimit të nano-përshpejtuesve, të cilët në të ardhmen mund të përdoren tek endoskopët gjatë procesit të radioterapisë, duke e kryer atë në një mënyrë më të synuar dhe më të sigurt.
5. Kulmi i emetimeve të gazeve serrë
2023-i ka regjistruar një rekord tjetër që nuk duhet të na bëjë shumë krenarë:emetimet e dioksidit të karbonit nga lëndët djegëse fosile (një temë, që u diskutua mes shumë debatesh gjatë samitit COP28) arriti një rekord të ri. Këtë vit, prodhimi dhe shfrytëzimi i lëndëve djegëse fosile ka lëshuar në atmosferë 36.8 miliardë ton dioksid karboni, ose 1 për qind më shumë se sa vitin e kaluar.

6. Objekti artificial më i shpejtë i ndërtuar ndonjëherë
Në fund të shtatorit, sonda e NASA-s që lëviz përmes energjisë diellore, “Parker”, e theu rekordin e shpejtësisë për një objekt të ndërtuar nga njerëzit. Ai udhëtoi pranë sipërfaqes e Diellit me një shpejtësi mbi 635 mijë kilometra në orë, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm (të vendosur po prej saj) prej 364 mijë kilometra në orë. Ndër të tjera, sonda vendosi njëkohësisht rekordin për distancën minimale nga Dielli (sërish për një objekt artificial), pak më shumë se 7 milionë kilometra nga ylli i zjarrtë.

7. Varrezat e para në botë
Ajo që u zbulua qershor të këtij viti, është varreza më e vjetër në botë. Ndodhet në Afrikën e Jugut, dhe e veçanta e saj është se nuk është ndërtuar nga specia jonë, Homo Sapiens. Në fakt, varreza është ndërtuar nga Homo naledi, një hominid që jetoi gjatë Epokës së Gurit. Ajo u zbulua nga një grup paleontologësh që ishin duke studiuar një sistem shpellash nëntokësore (rreth 30 metra në thellësi të tokës) në vendin që njihet si Djepi i Njerëzimit, 50 kilometra në perëndim të qytetit të Johanesburgut.
8. Kandili i detit më i vjetër në botë
Në gusht një ekip shkencëtarësh nga Muzeu Mbretëror i Ontarios në Kanada, identifikuan speciet më të vjetra të kandilit të detit në botë. Një krijesë që ka jetuar mbi gjysmë miliardë vjet më parë, dhe që besohet të jetë një nga grabitqarët më të fuqishëm në oqeane.

Lloji është quajtur Burgessomedusa phasmiformis, dhe pavarësisht se është pjesërisht i ngjashëm me një kandil deti modern “të kujton paksa një abazhur të epokës viktoriane”. Specia ka një kapuç në formë kubi, rreth 20 centimetra të gjatë, dhe mbi 90 tentakula “si gishta”.
9. Ilaçi i parë i prodhuar në orbitën e Tokës
Një laborator në miniaturë, është ngarkuar në bordin e raketës SpaceX Falcon 9 për të prodhuar kristale të ritonavirit në orbitën e Tokës, një antiviral që përdoret për trajtimin e HIV-it. Projekti synon të testojë hipotezën, tashmë të studiuar edhe në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, se prodhimi i barnave është më efikas në kushtet e mikrogravitetit.

Deri tani eksperimenti duket se ka ecur mirë, por kjo nuk është e mundur të përcaktohet me siguri. Sepse kapsula që përmban ilaçin, nuk ka marrë nga autoritetet lejen e nevojshme për rikthimin në Tokë (të paktën ishte kështu deri në tetor, dhe që atëherë nuk është dëgjuar ndonjë gjë e re).
10. Puthja e parë në histori
Kur ka ndodhur puthja e parë në historinë e njerëzimit? Në pamje të parë duket si një pyetje e parëndësishme. Në fakt është e kundërta, duke qenë se atë e ngrenë jo vetëm artistët dhe sociologët, por edhe mjekët dhe arkeologët, pasi përgjigja ka pasoja të konsiderueshme shëndetësore dhe sociale.
Deri më tani, të gjitha hipotezat dhe dëshmitë e vendosin origjinën e këtij zakoni rreth 3.500 vjet më parë në Azinë Jugore. Por një studim i botuar në revistën “Science”, thekson se bazuar në përmbajtjen e disa teksteve të gdhendura në pllaka balte, puthja e parë ka ndodhur në Mesopotami, gati 5 mijë vjet më parë.

Pllakat u gjetën dhe analizuan nga Troels Pank Arbøll i Universitetit të Kopenhagës dhe Sophie Rasmussen nga Universiteti i Oksfordit. Ata theksuan se puthjet nuk kanë qenë përgjegjëse për përhapjen e sëmundjeve, siç kanë sugjeruar studime të tjera të mëhershme. Sipas autorëve të studimit, praktika e puthjes romantike u përhap dhe konsolidua pak a shumë në të njëjtën kohë në shumë shoqëri të së kaluarës. Për rrjedhojë efektet e saj në përhapjen e patogjenëve duhet të konsiderohen “konstante”, gjë që e bën të pamundur që ajo të ishte një shkaktare vendimtare në përhapjen e sëmundjeve të veçanta.
Burimi: Wired.it/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



