Gazeta Si – Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për 10 anëtarët e një grupi kriminal të goditur gjatë operacionit “Shpirti”, të cilët akuzohen se trafikuan sasi të mëdha droge me vlerë 55 milionë euro nga Shqipëria në Itali.
Bëhet fjalë për shtetasit; Robert Myftari, Julian Bejdollari, Aurel Kalari, Rexhino Muçaj, Piro (Kleo) Bregu, Ilirian Duçellari (alias Ilirian Zaimi), Orhan Duçellari, Alban Koshi, Elton Hamza dhe Mariglen Shusha, të cilët kanë kryer aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndryshimi i vetëm në vendimin e GJKKO është dënimi i Ilirjan Duçellarit (Zaimi), kreut të grupit. Ky i fundit është dënuar me 12 vite e 8 muaj burg duke i shtuar edhe 1 vite katër muaj burg nga dënimi i mëparshëm.
Në dosjen e megaoperacionit “Shpirti” zbulohet roli i Ilirjan Ducellari (alias Zaimi) si kreu i bandës që kishte plantacione gjigante kultivimi hashashi në zonën e Skraparit dhe bënte të mundur trafikimin drejt Italisë.
Ndërsa Rexhino Muça rezulton si pjesë e grupit të Ilirjan Duçellarit që në nëntor të vitit 2015 dështoi në transportimin e 800 kg kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Nisja e lëndës narkotike u bë nga Divjaka, nga Piro Bregu, Elton Hamza, Rexhino Muça e Robert Muftari, por gjatë udhëtimit të parë u prishën motorët, skafi u mbush me ujë, kështu u detyruan të kthehen në Shqipëri.
Operacioni “Shpirti” u zhvillua 2 vite më parë, në korrik 2021, ku u goditën disa grupe kriminale. Hetimi i autoriteteve italiane për 5 vite me radhë çoi në pranga 38 persona. Në atë kohë u sekuestruan 4 milionë euro pasuri. Ishin 4 bashkëpunëtorët e drejtësisë që rrëfyen para autoriteteve italiane se si ishte bërë trafikimi i drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Si kokë të grupit konsideronin Ilirjan Duçellarin. Mes të arrestuarve kishte punonjës policie dhe 2 shoqëruesit e Saimir Tahirit, Agustin Deda dhe Hekuran Marku.
Dënimet:
Aurel Kalari – 13 vjet burgim/8 vjet e 8 muaj burg
Kleo Bregu – 13 vjet burgim /8 vjet e 8 muaj burg
Orhan Duçellari – 13 vjet burgim/ 8 vjet e 8 muaj burg
Julian Bejdollari – 13 vjet burgim/ 8 vjet e 8 muaj burg
Rexhino Muça – 13 vjet burgim/ 8 vjet e 8 muaj burg
Alban Koshi – 12 vjet burgim/ 8 vjet burgim
Mariglen Duçellari – 5 vjet burgim/ 3 vite e 4 muaj
Konfiskuar nga Gjykata:
Njësi 69.32 m2, ndodhur në Radhimë, Vlorë
Apartament 56.80 m2, ndodhur në Lagjen “Pavarësia”, Vlorë
Apartament, me sipërfaqe 134 m2, ndodhur në Lagjen “Pavarësia”, Vlorë
Ndërtesë tre katëshe, me sipërfaqe 124 m2, ndodhur në Lagjen “Kushtrimi”, Vlorë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




