Politike

Testi për protestën dhe vendimi i Kushtetueses/ Qëndrimet e ndryshme të Berishës për masën e re të arrestit

Ditën kur Këshilli i Mandateve me votat e PS dhe Enkelejd Alibeajt do të kalonte pa ndonjë surprizë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, Sali Berisha mbërriti vonë në selinë e PD-së edhe pse fiks në atë orë kishte thirrur një protestë para dyerve të Kuvendit.

Të paktë ishin ata që prisnin në oborrin e selisë nga ku do të marshohej drejt kryesisë së Kuvendit jo shumë larg prej aty.

Berisha nuk mund t’i shmangej asaj panorame të zymtë dhe parapriu me një deklaratë se atë ditë do protestohej me një grup modest, por frymëzues sipas tij.

“... E filluam betejën me 30 vetë në oborrin e selisë sonë dhe i mundëm ata në zgjedhjet parlamentare, të cilat i vodhën”, u shpreh ai.

E njëjta panoramë ndoqi edhe tubimin ‘e fjetur’ me të vetmin ndryshim; praninë e Argita Malltezit që dallonte me veshjen e saj ngjyrëndezur ndryshe nga lidershipi veshur në të zeza.

Një ditë pas asaj proteste dhe vendimit të pritshëm për arrestin, Sali Berisha ndryshoi kurs nga gatishmëria e 12 dhjetorit sipas të cilit  pavarësisht vendimit të paligjshëm ai do të respektonte Kuvendin.

Në 48 orët e fundit, Berisha është luhatur. Një ditë më parë, ai tha prerazi në çdo dalje se nuk do ta zbatojë vendimin, ndërsa të mërkurën në mesditë ai i dredhoi përgjigjes se, ‘do të ndjekë këshillën e avokatëve të vet’. Madje edhe kur u pyet nëse është në opsionet e tij që ta kryejë masën e sigurisë “arrest shtëpie” në selinë e PD-së, Berisha u përgjigj: “Konsultë me avoketërit. Futeni në folderin konsultë me avokatin”.

Megjithatë, ai siguroi se ku do të jetë nesër. “Kudo do jem unë. Në sallë, jashtë salle, te qytetarët dhe kudo. Në betejë, betejë pa kthim...”

Ajo që ai ka kërkuar është mobilizimi i njerëzve të tij nesër me hir e me pahir për atë që ai e cilëson ‘asimilim’ politik të liderit të PD.

A është ky dyzim qëndrimesh pasojë e asaj që do të ndodhë nesër dhe sesa prej të vetëve janë të gatshëm t’i shkojnë atij deri në fund? Kjo pritet për t'u parë.

Në fund të fundit ky është testi i fundit politik që Berisha ka për të vetët.

Nuk duhet anashkaluar as fakti se në Gjykatën Kushtetuese ka një padi të dërguar për interpretimin e një neni kushtetues lidhur me imunitetin dhe për pasojë pezullimin e masës së mëparshme që GJKKO ka marrë ndaj Sali Berishës atë të detyrimit të paraqitjes dhe ndalimit të udhëtimit jashtë vendit.

Avokatët e Berishës këmbëngulën në mbledhjen e Këshillit që procesi të pezullohej, pasi sipas tyre Kushtetuesja mund të vendoste  ta pezullonte procesin.

Ndërsa anëtarët e PS-së bashke me Enkelejd Alibeajn argumentuan se padia nuk e bllokonte procesin sa kohe që nuk kishte nje padi shtesë nga deputetët e PD-së për të pezulluar edhe kërkesën që kishte ardhur nga SPAK në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë