Moti

Ulen temperaturat. Vranësirat vijojnë deri të shtunën në mbrëmje

Nga Gazeta ‘Si’- Depërtimi i masave të ftohta polare nga Veriu i Europës drejt gadishullit të Ballkanit do të diktojë kushtet e motit edhe në territorin shqiptar.

Për pasojë; orët e paradites do të dominohen nga vranësira dhe reshje shiu në ultësirën perëndimore si edhe reshje dëbore në të gjithë zonën malore.

Orët e pasdites dhe mbrëmjes do të sjellin dobësim të intensiteti të reshjeve në të gjithë vendin, por ngricat në akset rrugore do të jenë problematike në të gjithë zonën malore përgjatë shtrirjes Veriore-Lindore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga -1°C deri në 12°C.

Era do të fryjë mesatare gjatë paradites, por forcohet pasdite duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 45 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor, për pasoje në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim mbi 3 ballë.

Fundjava

Edhe në fundjavë pritet të ketë rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit.

Vlerat minimale do të regjistrohen edhe në -5 gradë celsius në mëngjesin e ditës së diel në qytetet e zonave malore. Ndërsa maksimumet gjatë fundjavës do të shkojnë deri në 13 gradë celsius në Ultësirën Perëndimore. Deri në orët e pasdites së shtunë do të kemi vranësira të shpeshta, reshje të pakta dhe të izoluara. Sa i përket ditës së diel do të kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të motit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë