Politike

Deklarata e samitit BE-Ballkan / Të përshpejtohet anëtarësimi dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet mes fqinjëve

Nga Gazeta ‘Si’- Në deklaratën e përbashkët me 35 pika të miratuar mbrëmjen e kësaj të mërkure(13 dhjetor)pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, theksohet përshpejtimi i procesit të anëtarësimit.

Tre janë shtyllat themelore të diskutimeve dhe të veprimeve konkrete që pritet të merren: Përshpejtim i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit, rritja e investimeve nga ana e BE-së dhe siguria kibernetike.

"Duke rikujtuar Agjendën e Selanikut dhe Deklaratat e Sofjes, Zagrebit, Brdos dhe Tiranës, BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme nga partnerët, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të ndërsjellë. BE-ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë", thekson një nga pikat e deklaratës.

Sipas saj, Bashkimi Evropian angazhohet për të qenë më i pranishëm në rajon, me ndihmë dhe financa konkrete.

"BE-ja synon të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së, duke përgatitur terrenin për anëtarësimin dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët e tyre që gjatë procesit të zgjerimit. Për këtë qëllim, BE-ja synon të shqyrtojë masa të tjera që synojnë të përparojnë më tej integrimin gradual."

Brukseli nënvizoi edhe një herë rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të së shkuarës dhe pajtimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Charles Michel: Zgjidhja e konflikteve kusht kyç për integrim

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha pas samitit se porosia kryesore e samitit ishte nevoja për integrim gradual të këtyre vendeve në bllok, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre në rajon.

“A duhet t’i integrojmë sa më afër para se të hynë në BE në mënyrë graduale. Kjo është pika e parë. E dyta është rritja ekonomike. Shumë pjesëmarrës folën për bashkëpunimin në fushën e energjisë. U desh të përballemi me shantazhet e Rusisë në furnizim me energji. Kjo pati ndikim edhe në Ballkan“, tha Michell.

Ai theksoi se u bisedua edhe për përshtatje të politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

”Po ashtu, u bisedua edhe për bashkëpunimin në fushën e migrimit. Kjo vlen edhe për sistemin e vizave“ tha ai.

Michel përsëriti thirrjen për zgjidhjen e konflikteve dhe mospajtimeve si kusht kyç për integrim në BE.

“Duam ta përshpejtojmë punën tonë që të dyja palët të kenë një udhërrëfyes se çfarë duhet të bëjmë për të qenë të gatshëm për këtë zgjerim“ shtoi ai.

Von der Leyen: Kosova dhe Serbia të përmbushin detyrimet

Në adresimin për shtyp pas samitit, Von der Leyen ka thënë se të dyja vendet kanë bërë hapa të rëndësishëm këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila pritet të zbatohet nga të dyja palët.

“Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është rruga përpara dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në veri të Kosovës në veçanti për rrymën dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për vendet e rajonit dhe zgjerimin e BE-së, duke thënë se duan të hapin negociatat sa më shpejtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa me Bosnje e Hercegovinën do t’i hapin negociatat pasi të plotësohen kriteret e anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë