Gazeta Si – Ishte 13 dhjetor 1983 dhe në ‘McNichols Arena’ Pistons ia dolën pas tre kohëve shtesë. Me rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave, me 51 pikë të shënuara nga Vandeweghe.
Ndeshja e rekordeve mbush sot 40 vjeç. Mbrëmjen e 13 dhjetorit 1983, kur 9655 fansa të Nba-së hynë në ‘McNichols Arena’ të Denver, nuk mund ta imagjinonin se do të ishin dëshmitarë të një eventi legjendar.
Në 1600 metra lartësi, me dëborën që mbulonte pjesën më të madhe të kryeqytetit të Kolorados, Denver Nuggets dhe Detroit Pistons i dhanë jetë ndeshjes me rezultatin më të lartë në histori në basketbollin amerikan. Përfundoi 184-186 një duel i denjë për film, ku Detroit fitoi pas tre kohësh shtesë.
Një Everest basketbolli, i arritur falë lojtarëve si Kiki Vandeweghe dhe Alex English, autorë respektivisht të 51 dhe 47 pikëve për të zotët e shtëpisë, si dhe të 47 pikëve të Isiah Thomas dhe 41 të John Long, më të mirët për Pistons, që kishin edhe 35 pikët e Kelly Tripucka.
Një shpërthim realizimi pikësh i paprecedentë dhe pa pasardhës, pasi 4 lojtarë me më shumë se 40 pikë në të njëjtën ndeshje nuk janë parë më. Maratona e 63 minutave u fitua nga “Bad Boys” e ardhshëm, falë edhe një numri të Thomas, i cili 54 sekonda nga sirena e shtesës së tretë rikuperoi topin dhe shënoi në kundërsulm.
Spektakli ishte elektrizues dhe qarkullimi i topit prodhoi 93 asiste në total. Një rekrod ende i pathyer (46 Denver dhe 47 Detroit, me 17 të Thomas). Dikush ka bërë më mirë? Më 25 shkurt të këtij viti, sfida mes Kings dhe Clippers përfundoi 176-175, pas dy shtesash (Monk 45 pikë, Fox 42 dhe Leonard 44), duke dhënë një sinjal të fortë. Është rezultati i dytë më i lartë, pasi kaloi atë të 6 marsit 1982, kur San Antonio Spurs dhe Milwaukee Bucks përfundoi 171-166 pas tre shtesash.
Ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët mund të krijohet mundësia për të përjetuar sërish një mbrëmje si ajo e 40 viteve më parë, por është vetëm një hipotezë për momentin.
Në Nba ekzistojnë edhe rekordet individuale, si 100 pikët e shënuara nga Wilt Chamberlain, 30 asistet e Skiles, apo 17 ndërhyrjet e Elmore Smith. Janë rekorde që duket se do të zgjasin në përjetësi, por është motoja vetë “Where amazing happens”, që sugjeron se asgjë nuk është e pamundur në ligën më të pabesueshme në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.