Drejtësia

SPAK zbulon abuzimet dhe shkeljet me inceneratorin e Tiranës. Si u favorizuan Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri

Gazeta Si - SPAK ka zbërthyer skemën e abuzimeve dhe sjkeljeve të kryera nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë për inceneratorin e Tiranës, ku deri tani janë arrestuar 4 persona nga 15 urdhër-arreste të lëshuara një ditë më parë.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se se gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe në gjatë fazës së zbatimit të kontratës koncesionare, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë vepra penale.

Sipas SPAK, nga veprimet hetimore ka rezultuar se gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe në gjatë fazës së zbatimit të kontratës koncesionare me vlerë mbi 128 milionë lekë të lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV”,  janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke renditur 7 shkelje të kryera gjatë këtij procesi.

Gjatë hetimeve, del se në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, të përbërë nga shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me shtetasit Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit, Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasi Bledar Karoli, kanë shkelur ligjin.

“Anëtarët e komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit”, informon SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit kanë qënë personat përgjegjës që kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

SPAK akuzon Klodian Zoton dh Mirel Mërtirin se kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, të cilët janë edhe personat përfitues real të kësaj kontrate koncesionare.

SPAK informon se dy biznesmenët janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k dhe shoqërinë mëmë në Holandë, me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V”, aktualisht “Geogenix B.V”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Sipas organit hetues, ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako i cili ndodhet në qeli, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, vlerën monetare prej 119.755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit për inceneratorin e SPAK, i cili është sekuestruar.

Ndërsa titullari i Autoritetit Kontraktor, ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, që po ashtu ndodhet në burg, ka miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.

“Dokumentet Standarte të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit”, thuhet në njoftim.

Sipas SPAK, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k dhe shoqërinë mëmë në Holandë, me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V”, aktualisht “Geogenix B.V”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.”

"Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij, “Integrated Energy Services” sh.p.k, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një pjesë e madhe e këtyre vlerave monetare të siguruara në sajë të mashtrimit, janë tërhequr në cash dhe janë transferuar në mënyra të ndryshme jashtë vendit nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, që përbëjnë edhe produkt të veprës penale", - informoi sot SPAK.

SPAK informon se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”, ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit dhe kjo sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, Alqi Bllako, Alba Thoma dhe Bledar Karoli, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu.

Informohet se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare,me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Gjithashtu rezulton se nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i dhënies së koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare.

“Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët. Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti”, thuhet në njoftim.

AKUZAT:

-Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, është ngritur akuza se ka konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim

-Alqi Bllako, Ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dy herë.

-Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Alba Thoma, Bledar Karoli, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Silena Tola, Jetmir Llapaj, dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

-Klodian Zoto, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

-Shtetasi Mirel Mërtiri, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, oficerët e BKH-së dhe Policia e Shtetit zhvilluan operacionin për ekzekutimin e urdhër arresteve, ku deri më tani tani kanë rënë në pranga drejtori i infrastrukturës në Bashkinë Tiranë, Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Bledar Karoli dhe Jetmir Llapaj.

Ndërkohë që është shpallur në kërkim Erjon Murataj. Disa prej personave që iu është dhënë urdhër arresti, janë në burg për shkak të inceneratorit të Fierit, si ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe Alqi Bllako.

Më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë