Drejtësia

Arrestohet në Kosovë ish polici Gëzim Çela, ‘baroni i drogës’ ishte në kërkim ndërkombëtar

Gazeta Si – Gëzim Çela, ose ‘baroni i drogës’, siç njihet, është arrestuar sot në Kosovë. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet për veprat penale të “Trafikimit i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për shfrytëzim prostitucioni.

Çela ka qenë më herët subjekt i “OFL”-së, por ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë. Aktiviteti i Çelës ka nisur para shumë vitesh, kur në bashkëpunim me persona nga Kosova ka krijuar një rrjet të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Kosovës dhe Shqipërisë, për ta shpërndarë më pas në të gjithë Europën dhe më tej.

Gëzim Çela dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge, aty policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Gjashtë trafikantë, mes tyre katër shqiptarë dhe dy ukrainas, ranë në pranga të policisë nga një operacion ndërkombëtar antidrogë, i zhvilluar më 15 gusht 2023 në det të hapur, rreth 18 milje larg Lagunës së Patokut.

I shumëkërkuari kishte gjetur strehim në Kosovë. Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij, i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik, ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me kokainë.

Emri i Gëzim Celës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri, pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet ‘90. Dikur ish-punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë