Arsim

Njohuritë në matematikë, lexim dhe shkencë / Shqipëria mes vendeve të fundit në botë

Nga Gazeta Si- Shqipëria është renditur mes vendeve të fundit në listën e PISA-s që mat performancën e 15-vjeçarëve në matematikë, lexim dhe shkencë.

Performanca matematikore mat njohuritë e një 15-vjeçari për të formuluar, përdorur dhe interpretuar matematikën në një sërë kontekstesh.

Nga 80 shtete, Shqipëria renditet në vendin e 67 për vitin 2022, cilësuar si statistikisht nën mesataren e OECD(Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik).

Nga rajoni, ne lëmë pas vetëm Kosovën, e cila renditet në vendin e 74.

Në krahasim me vitin 2018, hera e fundit që është bërë renditja, Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh.

Në renditja, Shqipëria është mes shteteve si Palestina, Indonezia, Marok dhe Filipines, që renditen me më pak pikë se vendi ynë.

Ndërsa performanca në lexim, për PISA-n, mat aftësinë për të kuptuar, përdorur dhe reflektuar mbi tekstet e shkruara për të zhvilluar njohuritë dhe potencialin dhe për të marrë pjesë në shoqëri.

Në këtë listë Shqipëria renditet edhe më poshtë, duke lënë pas vetëm 9 vende, mes tyre edhe Kosovën që renditet në vendin e 75.

Në krahasim me vitin 2018, Shqipëria ka humbur 47 pikë.

Edhe në Shkencë, ku maten njohuritë shkencore me test të standardizuara, Shqipëria renditet mes vendeve që cilësohen si statistikisht nën mesataren e OECD.

Nga 80 shtete, Shqipëria renditet në vendin e 69, ku njësoj si në matematikë dhe lexim kemi më shumë pikë se shtete si Jordan, Guatemala, Marok, Kosovë, Filipines, Uzbekistan dhe Kamboxhia.

Në krahasim me 2018, Shqipëria ka humbur 41 pikë.

Në këtë listë, Kosova renditet më poshtë se në dy listat e para dhe është mes 4 shteteve me performancën më të dobët.

Në të treja listat, Singapori ka performancën më të mirë, duke u renditur vendi i parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë