Lajme

Mbledhja e qeverive në Pejë, Kosova kërkon heqjen e barrierave ekonomike

Këtë të hënë në Pejë mbahet mbledhja e radhës mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Drejtuesi të dy shteteve kanë qenë që një ditë përpara në Kosovë, për zbulimin e shtatoreve të drejtuesve dhe heronjve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Bustet e tre liderëve historikë, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, që u vendosën këtë të diel në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit, në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", ka bërë bashkë Presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, jo shumë kohë pas përplasjes së tyre për dekretin e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi. Rama dhe Meta kanë qëndruar përkrah kryeministrit të Kosovë, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, duke mbajtur homazhe dhe vendosur kurora pranë shtatoreve.   

Në vigjilje të kësaj mbledhjeje të përbashkët të qeverive, autoritetet kosovare thonë se presin që të konkretizohen marrëveshjet ekonomike mes dy vendeve, pasi – siç u shprehën ata - ka pasur neglizhencë të zbatimit të marrëveshjeve paraprake. Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha për KosovaPress, se në takimin e dy qeverive do të bëhet një analizë e asaj se çka është bërë deri tani dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje të reja, që do të jenë me rëndësi për të ardhmen e të dy vendeve.

Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj

“Ka pasur vështirësi në thellimin e marrëdhënieve, sidomos atyre ekonomike, ka pasur neglizhencë të zbatimit të marrëveshjeve paraprake dhe ne kemi punuar fort muajt e fundit që mbledhja e radhës të mos jetë sa për t’u parë e për t’u fotografuar, por të ketë rezultate konkrete. Ne jemi të vetëdijshëm edhe dëshmitarë që edhe sot e kësaj dite njerëzit e rëndomtë kanë vështirësi në komunikimin e tyre mes Kosovës dhe Shqipërisë, kanë pengesa të çuditshme të paarsyeshme, vonesa, pengesa të panevojshme, maltretimet e njohjes së dokumenteve, krejt të panevojshme, dhe besoj që këto dy qeveri njëherë e mirë duhet të fillojnë të lehtësojnë qarkullimin e njerëzve, qarkullimin e mallrave, krijimin e lehtësirave, heqjen e barrierave të panevojshme, heqjen e taksave të panevojshme. Po shpresoj që mbledhja e qeverive në Pejë do të jetë pikënisje e një ndryshimi të thellë të bashkëpunimit, për të cilin është shumë me rëndësi të zhvillohet”, ka thënë Limaj.

Një nga pikat e rendit të ditës është njohja e certifikatave apo licencave që i lëshojnë në Tiranë dhe në Prishtinë.

“Mos të ketë nevojë t’i eksportojmë nga Prishtina, nga Kosova, që licencën që ka lëshuar një institucion apo agjenci këtu në Prishtinë, ta verifikojë edhe një herë në Tiranë ose ta rishikojë edhe një herë në Tiranë, ose ai nga Tirana në Prishtinë”, tha Limaj. Ai u shpreh se autoritetet kosovare nuk janë të kënaqura me punën që është bërë nga qeveritë e dy vendeve dhe Kosova kërkon thellimin e bashkëpunimit dhe heqjen e barrierave ekonomike që kanë penguar këtë bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë